
Tetë ushtarakë kanë humbur jetën nga rrëzimi i një helikopteri në një zonë të largët të Perusë, e njohur për kultivimin dhe trafikun e drogës.
Autoritetet bëjnë të ditur se avioni u rrëzua pranë qytetit Sanabamba, gjatë një misioni për evakuimin e një patrulle të ushtrisë në luginën e lumenjve Apurímac, Ene dhe Mantaro, e njohur me akronimin spanjoll VRAEM.
E cilësuar shpesh si “Lugina e Kokainës”, kjo zonë është lugina më e madhe e kultivimit të kokës në Peru, ku veprojnë banda kriminale dhe mbetjet e grupit të dikurshëm rebel “Rruga e Ndritur” (Shining Path).
Ministria peruane e Mbrojtjes deklaroi se piloti ishte i vetmi person që i mbijetoi rrëzimit, ndërsa shkaku i aksidentit mbetet ende i panjohur. Në deklaratën e saj, ministria tha se “operacionet e kërkim-shpëtimit lokalizuan avionin dhe nëntë ushtarakët që ndodheshin në bord”.
Piloti u identifikua si Enzo Espinoza Roque dhe, sipas ministrisë, u transportua me urgjencë drejt Limës për të “marrë trajtim të specializuar mjekësor”.
Helikopteri ishte raportuar i zhdukur mbrëmjen e së enjtes, pasi kishte shpëtuar tre pjesëtarë të ushtrisë. Nuk u dhanë informacione të tjera lidhur me arsyen pse grupi kishte nevojë për t’u shpëtuar, por u konfirmua se tre ushtarakët ishin mes viktimave të rrëzimit.
Komanda e Përbashkët e Forcave të Armatosura të Perusë publikoi një mesazh ngushëllimi në internet, duke shprehur “ngushëllimet më të thella për familjarët, miqtë dhe bashkëluftëtarët e pjesëtarëve të Komandës Speciale të VRAEM-it, të cilët humbën jetën gjatë kryerjes së një misioni ushtarak. Zoti i ruajtë në lavdinë e Tij”.
Në muajin shkurt, një helikopter MI-17 u rrëzua në jug të Perusë, duke shkaktuar vdekjen e të 15 personave që ndodheshin në bord.
Sipas Kombeve të Bashkuara, Peruja, së bashku me Kolumbinë, është një nga prodhueset më të mëdha në botë të gjetheve të kokës dhe kokainës, shkruan BBC.