NATO ka përcjellë një mesazh urimi për Shqipërinë me rastin e Ditës së Pavarësisë, duke vlerësuar rolin e vendit tonë si një aleat i rëndësishëm brenda Aleancës.
Në mesazhin e publikuar në rrjetin social X, Aleanca thekson kontributin e efektivëve shqiptarë në stërvitjet shumëkombëshe, misionet e NATO-s dhe bashkëpunimin ushtarak mes vendeve anëtare.
NATO kujton gjithashtu se Shqipëria është pjesë e Aleancës që prej vitit 2009, duke nënvizuar angazhimin dhe përkushtimin e ushtarakëve shqiptarë në kuadër të mbrojtjes kolektive.
“Që nga viti 2009, Shqipëria është pjesë integrale e mbrojtjes kolektive të NATO -s, me anëtarë të shërbimit shqiptar që kontribuojnë në stërvitje shumëkombëshe, misione të NATO-s dhe bashkëpunim ushtarak në të gjithë Aleancën. Në Ditën Kombëtare të Shqipërisë, ne njohim përkushtimin dhe shërbimin e kolegëve tanë shqiptarë. Gëzuar Ditën Kombëtare, Shqipëri”, shkruan Aleanca në X.


