Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka përcjellë urimet e tij për popullin shqiptar me rastin e Ditës së Pavarësisë, më 28 Nëntor, duke vlerësuar marrëdhëniet e ngushta mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në mesazhin e tij, Rubio thekson se partneriteti mes dy vendeve është ndërtuar mbi sigurinë kolektive, prosperitetin ekonomik dhe lidhjet mes qytetarëve. Ai shpreh gjithashtu gatishmërinë e Uashingtonit për të thelluar më tej bashkëpunimin me Shqipërinë në çështjet e mbrojtjes dhe politikës së jashtme.
Kreu i diplomacisë amerikane nënvizon rëndësinë e partneritetit strategjik në përballjen me sfidat e përbashkëta të sigurisë, veçanërisht në luftën kundër grupeve kriminale transnacionale, karteleve të trafikut të drogës dhe rrjeteve që bashkëpunojnë me to.
Një tjetër drejtim i rëndësishëm i bashkëpunimit është siguria kibernetike. Rubio vlerëson përpjekjet e përbashkëta për t’iu përgjigjur kërcënimeve në këtë fushë, ndërsa Shqipëria vijon të rrisë kapacitetet e saj në mbrojtjen kibernetike.
Në përfundim të mesazhit, sekretari amerikan i Shtetit shpreh angazhimin e SHBA-së për të thelluar të gjitha aspektet e marrëdhënies me Shqipërinë, duke e cilësuar atë si një partneritet me përfitime të ndërsjella.
MESAZHI I PLOTË I MARCO RUBIOS:
“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i shpreh urimet e mia më të ngrohta popullit të Shqipërisë ndërsa festoni Ditën e Pavarësisë.
Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria gëzojnë një marrëdhënie të fortë të ndërtuar mbi sigurinë kolektive, prosperitetin ekonomik dhe lidhjet midis njerëzve. Ne mirëpresim thellimin e bashkëpunimit të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara në çështje kyçe të mbrojtjes dhe politikës së jashtme.
Partneriteti ynë strategjik me Shqipërinë i bën qytetarët tanë më të begatë dhe më të sigurt, duke përfshirë edhe përpjekjet e përbashkëta për t’u përballur me kërcënimet që paraqesin grupet kriminale transnacionale, kartelet e trafikut të drogës dhe ata që bashkëpunojnë me to. Ne gjithashtu i vlerësojmë përpjekjet tona të përbashkëta për t’iu përgjigjur kërcënimeve kibernetike, ndërsa Shqipëria rrit aftësitë e saj të sigurisë kibernetike.
Ndërsa shënojmë këtë ditë të veçantë, mezi presim të thellojmë të gjitha aspektet e marrëdhënies sonë të dobishme reciprokisht.”