Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka uruar shqiptarët për festat e Nëntorit përmes një videomesazhi, ku shfaqet së bashku me vajza dhe djem të Policisë së Shtetit.
Në mesazhin e tij, Demo thekson rëndësinë e sigurisë, kujdesit për qytetarët dhe përgjegjësisë për të ardhmen e vendit.
“E bëjmë duke i qëndruar pranë atij që ka nevojë, duke u kujdesur që fëmijët të rriten të sigurt dhe që çdo familje ta ndërtojë jetën këtu, në Shqipëri”, shkruan Demo në mesazhin shoqërues.
Videoja përmban pamje të efektivëve të Policisë së Shtetit në shërbim, në komunikim me qytetarët, në menaxhimin e trafikut, pranë shkollave dhe gjatë patrullimeve.
Ministri shpreh mirënjohjen për punonjësit e Policisë që edhe gjatë festave të Nëntorit qëndrojnë në detyrë për të garantuar sigurinë dhe qetësinë e qytetarëve.
“Edhe në emër të tyre, ju uroj gëzuar festat e Nëntorit! Gjithmonë në shërbim të njerëzve!”, përmbyll urimin ministri Demo.


