Autoritetet greke kanë arritur të identifikojnë një prej autorëve të dyshuar të vrasjes së Vangelis Zambounis, i njohur me nofkën “Zambon”, i cili u ekzekutua në janar të vitit 2024 në lagjen Neos Kosmos të Athinës.
Bëhet fjalë për 43-vjeçarin rus Aleksei Shopka, i njohur në rrethet kriminale me nofkën “Kinezi”. Ai u arrestua në fund të gushtit të vitit 2026 në pjesën veriore të Qipros, ku, sipas mediave greke, kishte arritur të qëndronte i fshehur për rreth 13 muaj.
Një rol vendimtar në identifikimin e të dyshuarit kanë luajtur katër regjistrime të kamerave të sigurisë, të cilat siguruan prova të rëndësishme për hetuesit lidhur me atentatin dhe përpjekjet për zhdukjen e gjurmëve të krimit.
Sipas autoriteteve greke, një banesë në zonën e Aspropirgos dyshohet se përdorej si strehë nga personat e përfshirë në ngjarje. Materialet filmike të siguruara gjatë hetimeve dokumentuan edhe përpjekjet e të dyshuarve për eliminimin e provave.
Identifikimi i Shopkës u bë i mundur pasi hetuesit krahasuan pamjet e kamerave të sigurisë me fotografinë e tij në dokumentacionin e një aplikimi për azil.
Megjithatë, arrestimi i 43-vjeçarit në pjesën veriore të Qipros ka sjellë një sërë komplikimesh juridike, për shkak të statusit të këtij territori dhe vështirësive në zbatimin e procedurave të zakonshme të bashkëpunimit ndërkombëtar.
Sipas raportimeve, Shopka u lokalizua më 24 gusht në zonën e Agios Amvrosios, në rajonin e Kyrenias, ku qëndronte pa dokumentacion të vlefshëm. Gjatë marrjes në pyetje, ai dyshohet se ka pranuar edhe kalime të paligjshme ndërmjet dy pjesëve të ishullit.
Vangelis Zambounis u vra më 14 janar 2024, pranë një pike karburanti në pronësi të tij në Athinë. Atentati tronditi opinionin publik grek për shkak të brutalitetit të tij.
Zambounis konsiderohej një prej figurave të njohura të botës së krimit të organizuar në Greqi. Emri i tij ishte përmendur në disa hetime për veprimtari kriminale, ndërsa në vitin 2018 i kishte mbijetuar një atentati tjetër në Pire.
Sipas hetuesve, vrasja e tij dyshohet se ishte pjesë e një lufte për dominim mes grupeve rivale të së ashtuquajturës “Mafia Greke”, të cilat përplaseshin për kontrollin e aktiviteteve të paligjshme, veçanërisht të tregut të kontrabandës së cigareve.
