Një aksident i rëndë ajror është regjistruar në rajonin Ayacucho të Perusë, ku rrëzimi i një helikopteri ushtarak të tipit Mi-17 u ka marrë jetën tetë personave. Piloti është i vetmi i mbijetuar, por ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Ministria peruane e Mbrojtjes konfirmoi se në bordin e helikopterit ndodheshin nëntë persona. Mjeti fluturues po kthehej nga një operacion shpëtimi për një patrullë ushtarake që kishte mbetur e bllokuar në luginën e lumenjve Apurímac, Ene dhe Mantaro, e njohur ndryshe si VRAEM.
Mes viktimave janë pesë anëtarë të ekuipazhit dhe tre ushtarakë. Piloti, i identifikuar si Enzo Espinosa Roque, arriti t’i mbijetonte përplasjes dhe u transportua me urgjencë drejt një spitali në kryeqytetin Lima, ku po merr trajtim të specializuar mjekësor.
Autoritetet peruane kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e aksidentit, të cilat deri më tani mbeten të panjohura.
Rajoni ku ndodhi tragjedia njihet për sipërfaqet e konsiderueshme të kultivuara me bimë koka, si dhe për praninë e organizatave kriminale të përfshira në trafikun e lëndëve narkotike.
Ky është aksidenti i dytë fatal gjatë këtij viti në Peru, ku përfshihet një helikopter ushtarak i modelit Mi-17.
Në shkurt, një helikopter i të njëjtit tip u rrëzua gjatë një operacioni shpëtimi pas përmbytjeve në rajonin Arequipa. Ajo tragjedi u mori jetën 15 personave, mes të cilëve shtatë fëmijë.
