News24 ka siguruar pamje me dronë që tregojnë përmasat e protestës kombëtare të 28 Nëntorit në Tiranë, ku sheshi “Skënderbej” është mbushur me protestues të ardhur nga qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe nga diaspora.
Në video, duket pjesëmarrja e gjerë e qytetarëve, të cilët janë bashkuar në kryeqytet në një prej datave më simbolike të historisë kombëtare, 114-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Protestuesit kanë mbërritur në shesh me flamuj kuqezi, ndërsa atmosfera është shoqëruar me këngë patriotike, flakadanë dhe thirrje kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Tubimi është organizuar me thirrjen për një mobilizim kombëtar, ku pjesëmarrësit kërkojnë largimin e Ramës, krijimin e një qeverie teknike dhe garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Përmes banderolave dhe parullave, qytetarët kanë përcjellë edhe mesazhe kundër klasës politike, ndërsa ndër thirrjet që kanë spikatur është “Rama në burg, Berisha në burg”.
Protesta e sotme vjen pas muajsh tubimesh të njëpasnjëshme në Tiranë, të organizuara nga studentë, të rinj dhe qytetarë që kundërshtojnë qeverinë. Organizatorët e kanë cilësuar 28 Nëntorin si një moment të rëndësishëm mobilizimi, duke kërkuar pjesëmarrjen e shqiptarëve nga të gjitha trevat dhe diaspora.
