Sport

“Premier League” e ashpër me Mançester Sitin: Pronarët të shesin klubin si ndëshkim për mashtrimet

Pronarët e Mançester Sitit duhet të detyrohen ta shesin klubin si ndëshkim për shkeljen e rregullave financiare, sipas figurave kryesore në disa klube të Ligës Premier, shkruan BBC. Drejtuesit e tri ligave të para angleze i thanë Shërbimit Publik Britanik se një ndëshkim i tillë do të ishte i përshtatshëm për Sitin, i cili u shpall fajtor për shkelje të rregulloreve financiare të Ligës Premier midis viteve 2009 dhe 2018 dhe për mosbashkëpunim me hetimin.

Paneli i pavarur ende nuk ka vendosur për dënimin, i cili mund të përfshijë një gjobë, zbritje pikësh, heqjen e titujve të fituar më parë ose edhe përjashtimin nga liga. Mançester Siti i mohon akuzat dhe ka apeluar vendimin. Një nga drejtuesit, i cili foli për BBCnë në kushte anonimiteti, tha se ishte pjesë e një grupi klubesh që besojnë se çdo ndëshkim për Mançester Sitin do të jetë i pakuptimtë nëse pronarët e saj nuk detyrohen ta shesin klubin.

Ai shtoi se një ndëshkim më i lehtë do t’i bënte ata të pyesnin pse klubet financojnë Autoritetin e Pavarur Rregullator të Futbollit (IFR) në radhë të parë. Një tjetër drejtues theksoi se shkelja e rregullave ka dëmtuar besueshmërinë e Ligës Premier dhe se klubet nuk do të jenë në gjendje ta lënë pas skandalin nëse pronarëve aktualë të Mançester Sitit u lejohet të qëndrojnë në klub.

Liga Premier u kërkoi klubeve të mos flisnin publikisht për dënimin. Ekzekutivi anonim zbuloi se Liga Premier u ka kërkuar klubeve të përmbahen nga shprehja publike e pikëpamjeve të tyre mbi ndëshkimet e mundshme dhe të lejojnë përfundimin e procesit.