Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, ka reaguar lidhur me kallëzimin në SPAK ndaj bashkëshortit të Elisa Spiropalit, duke pretenduar se gjatë kontrolleve tatimore ndaj bizneseve të familjarëve të saj, inspektorët janë përballur me kërcënime dhe presione.
Në një intervistë për Euronews, Binaj deklaroi se punonjësit e administratës tatimore, kryesisht gra me përvojë shumëvjeçare në institucion, kanë marrë kërcënime jo vetëm ndaj tyre, por edhe ndaj familjarëve të tyre.
Ai e cilësoi situatën të papranueshme, duke theksuar se çdo kundërshtim ndaj kontrolleve tatimore duhet të trajtohet përmes rrugëve ligjore dhe institucioneve përkatëse, dhe jo përmes presioneve ndaj inspektorëve.
“Nuk ka pasur asnjë lloj qasje të kësaj natyre, por është bërë trajtimi njësoj. Ndërkohë që ajo që ishte jo normale ishte niveli i kërcënimeve që kanë marrë inspektorët tanë, pra që kanë qenë nivel i papranueshëm, jo normal përtej çdo caku dhe shpesh ndaj inspektoreve femra. Pra kanë qenë femra të cilat kanë vite që janë asetet e administratës tatimore që punojnë aty prej vitesh, që përpiqen ta ekzekutojnë ligjin ashtu siç duhet dhe janë vënë për ato dhe familjarët e tyre përballë një niveli kërcënimi të paparë”, deklaroi Binaj.
Ai shtoi se inspektorët janë ndjerë të vënë në vështirësi për të përmbushur detyrën e tyre, ndërsa theksoi se çdo biznes duhet të justifikojë burimin e të ardhurave dhe të ndjekë procedurat ligjore në rast se kundërshton rezultatet e një kontrolli.
“Të gjithë duhet të përballen me kontrollet, duhet të deklarojë të ardhurat nga i ka gjetur, ku i ka gjetur dhe pastaj nëse nuk është dakort me atë që po i ndodh me trajtimin që po merr, duhet që ta zgjidhi këtë në mënyrë institucionale nëpër organet përkatëse. Nuk mundesh dot që të bësh kërcënime apo të kërcënosh se do ta zgjidhësh këtë në mënyrë jo ligjore”, u shpreh drejtori i Tatimeve.
Gjatë intervistës, Binaj u ndal edhe te aksionet e administratës tatimore në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, duke këmbëngulur se kontrollet janë zhvilluar sipas të njëjtave procedura ligjore, pa dallime mes bizneseve apo individëve.
Ai bëri të ditur se fillimisht kontrollet u përqendruan në sektorin hidrokarbur, më pas në turizëm dhe sigurinë ushqimore, për të vijuar me sektorin e ndërtimit dhe atë të pasurive të paluajtshme.
Sipas tij, ndërhyrja në ndërtim ishte e nevojshme për shkak të dyshimeve dhe denoncimeve lidhur me deklarimin e çmimeve të shitjes, të cilat në disa raste rezultonin shumë më të ulëta se çmimet reale të tregut.
“Fillimisht ne filluam me sektorin hidrokarbur. Pastaj u vazhdua në sektor të turizmit, në sektor të sigurisë ushqimore të cilat kanë prodhuar rezultate konkrete. Pastaj vazhduam me sektorin e ndërtimit duke u fokusuar qoftë në kompanitë e ndërtimit qoftë në kompanitë që kishin të bënin me real estate ku kishim denoncime dyshime. Pra ne e dimë që cilët janë çmimet e Tiranës, ndërkohë që çmimet që referoheshin ishin çmimet e referencës pra shumë të ulëta prandaj dhe ndërhyrja në këtë sektor ishte e domosdoshme”, tha Binaj.
Drejtori i Tatimeve shpjegoi gjithashtu se kontrollet në ndërtim dhe në tregun e pasurive të paluajtshme lidhen edhe me problematikat e evidentuara nga institucionet partnere për pastrimin e parave.
Ai theksoi se angazhimi i administratës tatimore në këtë sektor ishte i rëndësishëm edhe në kuadër të raportit të Moneyval, i cili duhej të kalonte gjatë këtij viti.
“Nga ana tjetër dhe institucionet partnere në sektorin e ndërtimit na referonin problematikë të shtuar me pastrimin e parave. Duke qenë se ky viti ishte dhe viti në të cilin duhet të kalojë raporti i Moneyval, angazhimi administratës tatimore në ndihmë dhe të aksioneve që duheshin bërë për të identifikuar problematikë në këtë sektorë ishin të nevojshme dhe patjetër që administrata i mori përsipër për ta kryer këtë detyrë”, deklaroi ai.
Në përfundim, Binaj hodhi poshtë pretendimet e bashkëshortit të Elisa Spiropalit, duke argumentuar se kontrollet janë kryer në mënyrë të njëtrajtshme dhe në përputhje me ligjin. Sipas tij, detyrimet e konstatuara kanë qenë të konsiderueshme, ndërsa çdo rast i evidentuar me evazion fiskal është referuar në organet ligjzbatuese.
“Dhe në këtë kuptim dhe pretendimet e bashkëshortit të zonjës Spiropali janë të pabaza për faktin sepse qasja jonë ka qenë e njëjtë në një historik prej dy vjetësh. Ne kemi treguar që ligji është një për të gjithë pra nuk mund të jetë selektiv apo i ndryshëm për persona të ndryshëm”, përfundoi Ilir Binaj.


