Largimi i Rey Manajt nga Sivasspor duket se ka vënë në lëvizje drejtuesit e klubit turk. Problemet financiare që kanë përfshirë skuadrën po shkaktojnë shqetësim, pasi vonesat në shlyerjen e pagave kanë prekur pothuajse të gjithë futbollistët.
Sipas raportimeve të medias turke “Sivasekspres”, klubi ka nisur të shpërndajë një pjesë të detyrimeve të prapambetura ndaj lojtarëve, në një përpjekje për të shmangur përshkallëzimin e situatës.
Shembulli i Rey Manajt, i cili vendosi të ndërpresë në mënyrë të njëanshme kontratën për shkak të mosrespektimit të detyrimeve financiare, duket se ka shërbyer si një sinjal alarmi për drejtuesit e Sivassporit.
