Vendimi i Roberto Mancinit për t’u larguar nga stoli i Italisë në vitin 2023 dhe për të nisur një aventurë të re në krye të Arabisë Saudite mbetet një nga episodet më të diskutuara të karrierës së tij. Ish-trajneri i “Azzurrëve” është rikthyer të flasë sërish për këtë temë.

“Duhej të kisha marrë një avion, të fluturoja drejt Romës dhe të sqaroja gjithçka me presidentin. Kur e kuptova se kisha bërë një gabim të madh? Menjëherë, por tashmë nuk mund të kthehesha më pas. Arabia Saudite u shndërrua në një aventurë jashtëzakonisht të ndërlikuar. Nëse Luca Vialli do të kishte qenë ende mes nesh, do të kishim biseduar dhe kështu do të kishim zgjidhur shumë gjëra.

Lojtari që më ka zhgënjyer? Nuk dua të kthehem shumë pas në kohë. Mendoj se Zaniolo ka potencial të jashtëzakonshëm. Kur e grumbullova për herë të parë në Kombëtare, në stërvitjen e parë dukej si një fëmijë që luante me të rriturit, ndërsa në stërvitjen e tretë dukej si një lojtar i madh mes lojtarëve të mëdhenj.

Sot, për cilësitë fizike dhe teknike që zotëron, duhet të ishte një yll i futbollit italian-tha Mancini-Unë grumbulloj lojtarët që në momentin e thirrjes janë duke luajtur mirë, që mund t’i japin diçka skuadrës. Nico, për më tepër, me mua është sjellë gjithmonë korrekt, pavarësisht problemeve personale që ka pasur. Shpresoj që të bëjë gjithçka që është e mundur për t’u rikthyer’.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb