Ndotje në liqenin e Ulzës, mbeturinat mblidhen pranë digës së hidrocentralit

Reshjet e fundit të shiut kanë rritur ndjeshëm nivelin e ujit në liqenin e Ulzës duke e dërguar atë në pikën maksimale të tij. Si pasojë e rritjes së prurjeve të lumit të Matit por edhe rrjedhave të tjera në të gjithë luginën e Matit, mbi sipërfaqen e liqenit të Ulzës është mbledhur një sasi e konsiderueshmesh mbeturinash.
Duke qenë se është bërë rritja në maksimum e nivelit të portave shkarkuese nga ana e kompanisë që ka privatizuar hidrocentralet Ulëz e Shkopet, mbeturinat kanë ngecur pranë digës duke mos patur mundësinë për të dalën në rrjedhën në vazhdim të liqenit të Shkopetit.
Që kur është bërë kjo ndërhyrje në portat e HEC Ulëz, kompania KURUMM kishte premtuar se do t’i largonte vetë mbeturinat sa herë të grumbulloheshin aty duke i mbledhur me një mjet që është posaçërisht për këtë proces.
Por edhe pse kjo është premtuar prej shumë vitesh, në terren asgjë nuk ndodh teksa janë peshkatarët ata që ndërhyjnë për të pastruar mbeturinat plastike që grumbullohen në sipërfaqen e liqenit të Ulzës.
Prania e këtyre mbetjeve është jo vetëm në dëm të turizmit pasi I jep një pamje të shëmtuar zonës, por edhe për ekonominë nënujore të liqenit, pasi sipas specialistëve ndikon tek peshqit që rriten në këtë basen ujor.




