
Në një atmosferë festive dhe me pjesëmarrjen e qytetarëve të shumtë, familjeve dhe përfaqësuesve të institucioneve, Elbasani ka kremtuar 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit dhe 114-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, së bashku me deputetët e Elbasanit, përfaqësues të pushtetit lokal dhe prefektin e Qarkut, Ilir Bejtja, morën pjesë në aktivitetet përkujtimore dhe festive të organizuara në qytet.
Në nderim të kësaj dite të rëndësishme kombëtare, homazhe u zhvilluan pranë bustit të Aqif Pashë Elbasanit, ku të pranishmit nderuan figurën e tij dhe kontributin e patriotëve elbasanas në rrugëtimin drejt Pavarësisë së Shqipërisë.
Historia e kësaj date është e lidhur ngushtë edhe me Elbasanin. Më 25 nëntor 1912, tri ditë përpara shpalljes së Pavarësisë në Vlorë, qyteti ngriti flamurin kombëtar nën udhëheqjen e Aqif Pashë Elbasanit. Me këtë akt historik, Elbasani u bë një nga qytetet e para që shpalli shkëputjen nga Perandoria Osmane, duke dëshmuar vendosmërinë e patriotëve të tij për një Shqipëri të lirë dhe të pavarur.
Ndërsa më 28 Nëntor 1912, në Vlorë, Ismail Qemali shpalli Pavarësinë e Shqipërisë, duke hedhur themelet e shtetit të ri shqiptar. Elbasani u përfaqësua në Kuvendin e Vlorës nga figura të njohura të lëvizjes kombëtare, mes tyre Lef Nosi, Shefqet Daiu dhe Qemal Karaosmani.
Festimet vijuan në Sheshin Gensher, ku kryetari i Bashkisë, deputetët dhe qytetarët iu bashkuan atmosferës festive të kësaj dite. Nën ngjyrat kuqezi, aktiviteti u kthye në një moment bashkimi, krenarie dhe gëzimi, ku prindër, fëmijë dhe familje festuan së bashku një nga datat më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare.
28 Nëntori mbetet simbol i lirisë, identitetit dhe sakrificës së brezave, një ditë që na bashkon rreth vlerave kombëtare dhe na kujton përgjegjësinë për t’ua përcjellë historinë dhe dashurinë për atdheun brezave të rinj.