Vrasja e ish-policit Frrok Lleshaj – Gjykata lë në burg Pirolin dhe Ymerin, dyshohet për ekzekutim me pagesë

Kronike

Publikuar: 28/11/2026

Vrasja e ish-policit Frrok Lleshaj – Gjykata lë në burg Pirolin dhe Ymerin, dyshohet për ekzekutim me pagesë

Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Vinçesk Pirolin dhe Kristjan Ymerin (Shkambi), të dyshuar për vrasjen e ish-policit Frrok Lleshaj, ngjarje e ndodhur më 4 gusht 2025, në fshatin Paçram të Vaut të Dejës.

Pas më shumë se një viti hetimesh, Prokuroria e Shkodrës ka krijuar dyshime të forta se dy personat e arrestuar janë autorët e vrasjes së ish-policit. Organi i akuzës mbështet dyshimet e tij në një sërë provash të administruara gjatë hetimeve, përfshirë pamjet e kamerave të sigurisë, tabulatet telefonike dhe dëshmitë e personave që pretendojnë se kanë dijeni për ngjarjen.

Një element i rëndësishëm i dosjes hetimore është dëshmia e një personi që aktualisht ndodhet në burg, i cili ka identifikuar Pirolin dhe Ymerin si autorët e dyshuar të vrasjes. Ndonëse ende nuk ka përfituar statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, ai ka deklaruar se i njeh të dy personat dhe disponon informacione mbi përfshirjen e tyre në ngjarje.

Përballë gjykatës, avokatët mbrojtës kanë kundërshtuar pretendimet e prokurorisë, duke mohuar përfshirjen e klientëve të tyre në vrasje. Ata kanë kërkuar caktimin e një mase më të lehtë sigurie, atë të “arrestit në shtëpi”.

Pala mbrojtëse ka vënë në pikëpyetje edhe besueshmërinë e dëshmisë së personit të burgosur, duke kërkuar kryerjen e një ekspertimi për vlerësimin e gjendjes së tij psikike.

Gjatë seancës ka folur edhe Vinçesk Piroli, i cili ka mohuar kategorikisht përfshirjen në vrasjen e Frrok Lleshajt. Ai ka pretenduar se po persekutohet nga drejtësia, duke e lidhur këtë edhe me publikimet mediatike rreth emrit të tij.

Piroli ka kundërshtuar përdorimin e dëshmisë së personit që e implikon në ngjarje, duke pretenduar se deklarimet e tij nuk mbështeten në fakte dhe se dëshmitari ka probleme të shëndetit mendor.

Edhe Kristjan Ymeri ka mohuar akuzat, duke e përshkruar veten si një person familjar dhe të qetë, pa lidhje me veprimtari kriminale apo me vrasjen e ish-policit.Pavarësisht kundërshtimeve të mbrojtjes, gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorisë, duke vendosur që të dy të dyshuarit të qëndrojnë në paraburgim. Ata dyshohen për veprat penale “Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve”.

Pamjet e kamerave dhe dyshimet për një vrasje me pagesë

Në kuadër të hetimeve, prokuroria ka administruar pamje nga kamerat e sigurisë, në të cilat dyshohet se shfaqen lëvizjet e Pirolit dhe Ymerit përpara dhe pranë vendit të ngjarjes.

Hetuesit kanë analizuar gjithashtu lëvizjet e dy të dyshuarve nga Fushë-Kruja, ku dyshohet se janë siguruar armët, përgjatë rrugës së vjetër Lezhë–Shkodër, deri në zonën ku u vra ish-polici.

Një nga pistat kryesore të hetimit është ajo e një vrasjeje me pagesë, me motiv të mundshëm gjakmarrjen. Dyshimet lidhen me konflikte të mëparshme të familjes së viktimës, përfshirë një përplasje mes kushërinjve që përfundoi me një viktimë, si dhe një tjetër vrasje të ndodhur në Greqi.

Frrok Lleshaj kishte qenë i dënuar me 25 vite burg. Pas përfundimit të dënimit, ai ishte rikthyer në fshatin Paçram, ku jetonte dhe merrej me blegtori. Ish-polici u vra rreth dy vite pas daljes nga burgu.

Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve të ngjarjes, ndërsa përgjegjësia penale e dy të dyshuarve mbetet për t’u provuar.