Toyota po përgatit veturën e saj të parë elektrike me teknologjinë e autonomisë së zgjatur, e cila mund të përshkojë deri në 1.000 kilometra me një mbushje të baterisë, falë një motori me benzinë që shërben si gjenerator.

Automjetin e ri është duke e zhvilluar ndërmarrja e përbashkët GAC Toyota. Sipas informacioneve të publikuara nga mediat kineze, bëhet fjalë për një version tërësisht të ri të modelit Toyota Highlander.


Ndryshe nga veturat hibride plug-in, rrotat e këtij automjeti do të vihen në lëvizje vetëm nga motorët elektrikë. Motori me benzinë nuk do të ketë lidhje të drejtpërdrejtë me rrotat, por do të shërbejë vetëm si gjenerator për ta rimbushur baterinë kur ajo të zbrazet.

Sipas informacioneve të publikuara më herët nga mediat kineze, SUV-i i ri do të ketë hapësirë për shtatë udhëtarë. Nën kapakun e motorit do të vendoset një motor me benzinë 1.5 litra, i pajisur me turbo, i cili do të prodhojë energjinë e nevojshme për udhëtime të gjata.

Vetëm me energjinë e baterisë, vetura pritet të mund të përshkojë rreth 150 kilometra. Pas kësaj distance, motori me benzinë do të aktivizohet për të prodhuar energji dhe për të mundësuar vazhdimin e udhëtimit.

Toyota ka qenë prej kohësh një nga prodhuesit kryesorë në teknologjinë e veturave hibride dhe hibride plug-in, ndërsa tani duket se po i bashkohet edhe trendit të automjeteve me autonomi të zgjatur, teknologji që është bërë veçanërisht e popullarizuar në Kinë. /Telegrafi/