Aktualitet

VIDEO/ Protestuesit vijojnë të qëndrojnë në shesh, policia përdor presion uji, vijon e tensionuar situata!

Situata në kryeqytet vijon të jetë e tensionuar, ndërsa protestuesit nuk janë larguar nga sheshi dhe vijojnë të qëndrojnë përballë forcave të Policisë.

Gjatë zhvillimeve të fundit, Policia ka përdorur autobotin me ujë në përpjekje për të shpërndarë turmën dhe për të vënë situatën nën kontroll.

Pavarësisht ndërhyrjes së forcave të rendit, një pjesë e protestuesve vijojnë të qëndrojnë në shesh, ndërsa tensionet mes palëve nuk janë qetësuar.

Protesta është shoqëruar më herët me përplasje, hedhje molotovësh dhe përdorim të lazerëve në drejtim të efektivëve të Policisë.

Protesta në 114-vjetorin e Pavarësisë, një ditë e shënuar për popullin shqiptar, u përshkallëzua në akte dhune. Me flamuj nëpër duar, por nga ana tjetër me maska e shkopinj druri, një grup protestuesish të dhunshëm nisën sulmet me gurë ndaj efektivëve e godinës qeveritare sapo mbërritën në bulevard.

Protestuesit hedhin molotovë e fishekzjarrë drejt uniformave blu, ndërsa sulmuan edhe disa institucione të tjera, Bankën e Shqipërisë, Ministrinë e Mjedisit, si edhe godinën e Teatrit të Kukullave. Policia është përgjigjur me ujë dhe gaz lotsjellës për t’i shpërndarë. Pas gati 3 orësh qëndrim në Bulevard, tashmë protestuesit janë zhvendosur sërish në sheshin “Skëndërbej”. Deri më tani raportohet për 19 të lënduar, 6 policë, 4 përfaqësues mediash (1 e huaj) dhe 8 protestues.

Tubimi nisi në 10:00 sheshin “Skënderbej”, ku qytetarët u mblodhën me flamuj kuqezi në duar. Pas dy orësh qëndrim në shesh, protestuesit u zhvendosën te Kryeministria, ku nisën edhe aktet e dhunës, ndonëse policia u përcolli mesazhe feste, me makina e skafandra të veshura me motive kuqezi.