
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë dënon incidentin ndaj gazetares Lindita Çela, e cila u godit me plumb gome teksa filmonte protestën e sotme në Tiranë. AGSH kërkon hetim të menjëhershëm dhe identifikimin e përgjegjësve, duke theksuar se gazetarët duhet të jenë të mbrojtur gjatë ushtrimit të detyrës.
Postimi:
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) dënon me forcë incidentin ndaj gazetares së medias “Shteg”, Lindita Çela, e cila është goditur me plumb gome ndërsa po filmonte me telefonin e saj celular gjatë protestës së sotme në Tiranë. Ajo ka qenë qartësisht e identifikuar si gazetare.
Goditja e një gazetareje gjatë ushtrimit të detyrës përbën një incident të rëndë ndaj lirisë së medias dhe sigurisë fizike të gazetarëve.
AGSH shpreh shqetësimin e thellë për incidentet e përsëritura ndaj punonjësve të medias gjatë mbulimit të protestave dhe i kujton Policisë së Shtetit se ka detyrimin të garantojë sigurinë e gazetarëve dhe të mos pengojë ushtrimin e profesionit të tyre.
AGSH kërkon hetim të menjëhershëm, të plotë dhe të pavarur të këtij incidenti, identifikimin e përgjegjësve dhe marrjen e masave për të parandaluar përsëritjen e rasteve të tilla.
Gazetarët nuk janë objektiva të forcave të rendit. Dokumentimi i protestave dhe i veprimeve të policisë është ushtrim i një të drejte themelore dhe i shërben interesit publik.
AGSH shpreh solidaritetin e plotë me gazetaren Lindita Çela dhe të gjithë punonjësit e medias që përballen me dhunë gjatë ushtrimit të detyrës.