Protesta e 28 Nëntorit në Tiranë ka marrë vëmendjen e mediave ndërkombëtare.
Agjencia prestigjioze Reuters dhe e përditshmja italiane “La Repubblica” i kanë kushtuar artikuj zhvillimeve të së shtunës në kryeqytetin shqiptar, duke raportuar për përplasjet mes protestuesve dhe policisë, përdorimin e gazit lotsjellës dhe autobotëve me ujë, si dhe kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Në raportimin e saj, Reuters shkruan se mijëra qytetarë u mblodhën në kryeqytet në Ditën e Pavarësisë, ndërsa protesta e thirrur nga studentët u shoqërua me episode dhune. Sipas agjencisë, protestuesit hodhën gurë dhe bomba molotov në drejtim të policisë, e cila u përgjigj me autobotë uji, gaz lotsjellës dhe plumba gome.
Reuters raporton gjithashtu se disa protestues të maskuar sulmuan me gurë një godinë qeveritare dhe tentuan t’i afroheshin zyrës së kryeministrit, por u zmbrapsën nga policia. Në protestë u dëgjuan thirrje për dorëheqjen e Ramës, ndërsa një prej pankartave mbante mesazhin: “Shqipëria nuk është në shitje”.
Edhe “La Repubblica” i ka kushtuar vëmendje protestës, duke raportuar për mijëra qytetarë në rrugët e Tiranës dhe përplasjet e dhunshme me policinë. Media italiane thekson se efektivët përdorën gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë për shpërndarjen e turmës, ndërsa protestuesit hodhën gurë dhe tentuan të dëmtonin kamerat e sigurisë dhe xhamat e godinave qeveritare.
Të dy raportimet e lidhin protestën me pakënaqësinë për korrupsionin, vështirësitë ekonomike, papunësinë dhe problemet në arsim. Reuters ndalet gjithashtu te protestat e mëparshme kundër projektit turistik luksoz në bregdetin jugor, të lidhur me kompaninë e themeluar nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump.













