Vendosni fjalën kyçe....

AGSH dënon goditjen e dy punonjësve të medias me plumba gome



AGSH dënon goditjen e dy punonjësve të medias me plumba gome

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë dënon goditjen me plumba gome të operatorit të Top News, Elion Deliu, dhe fotoreporterit të Syri, Felix Bilani, gjatë protestës së sotme në Tiranë. AGSH kërkon hetim të incidenteve dhe masa për garantimin e sigurisë së gazetarëve dhe punonjësve të medias gjatë protestave.

Postimi:

AGSH dënon goditjen me plumba gome të operatorit Elion Deliu dhe fotoreporterit Felix Bilani

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) dënon me forcë dy incidente të tjera ndaj punonjësve të medias gjatë protestës së sotme në Tiranë.

Operatori i Top News, Elion Deliu, dhe fotoreporteri i Syri, Felix Bilani, janë goditur me plumba gome gjatë ushtrimit të detyrës së tyre profesionale.

AGSH shpreh shqetësimin e thellë për incidentet e njëpasnjëshme ndaj punonjësve të medias dhe përdorimin e forcës që rrezikon seriozisht sigurinë dhe integritetin e tyre fizik.

AGSH i kërkon Policisë së Shtetit të marrë masa të menjëhershme për garantimin e sigurisë së gazetarëve, operatorëve dhe fotoreporterëve, ndërsa u bën thirrje autoriteteve kompetente të hetojnë këto incidente dhe të identifikojnë përgjegjësit.

Punonjësit e medias nuk duhet të jenë objektiv i forcave të rendit. Dokumentimi i protestave dhe i veprimeve të policisë është pjesë thelbësore e ushtrimit të lirisë së medias dhe i shërben interesit publik.

AGSH shpreh solidaritetin e plotë me Elion Deliun dhe Felix Bilanin, si dhe me të gjithë kolegët që po përballen me dhunë gjatë raportimit të protestës së sotme.