Urban Gen / Spartak Ngjela përplaset me të rinjtë: Nuk jetoni në komunizëm
“Nuk duam të ikim, duam ta ndërtojmë Shqipërinë!” kjo ishte thirrja që u vendos në qendër të diskutimit në emisionin “Urban Gen”, një debat mbi ëndrrat, sfidat, lirinë dhe të ardhmen e rinisë shqiptare.
Në një atmosferë diskutimesh të hapura, të rinjtë dhe paneli i të ftuarve u përballën me një nga pyetjet më të rëndësishme të kohës: A është rinia shqiptare gati të marrë përgjegjësinë për të ndërtuar të ardhmen e saj?
Nën moderimin e Kristi Lamajt, debati solli këndvështrime të ndryshme mbi mundësitë që ofron Shqipëria, vështirësitë e punësimit, meritokracinë, emigrimin dhe besimin e të rinjve te ndryshimi. Gjatë diskutimit u ngrit një shqetësim që prek mijëra familje shqiptare, largimi i të rinjve nga vendi.
Të rinjtë sollën në vëmendje sfidat që hasin në përpjekjet për t’u arsimuar, punësuar dhe për të krijuar pavarësi ekonomike. Por përtej vështirësive, në qendër të debatit qëndroi edhe një mesazh shprese: Shqipëria nuk duhet parë vetëm si vendi nga i cili largohesh, por edhe si vendi ku mund të realizosh ëndrrat. Një tjetër dimension i debatit ishte përgjegjësia e vetë brezit të ri.
Paneli i të ftuarve solli në diskutim rëndësinë e arsimit, përgatitjes profesionale, sipërmarrjes dhe përfshirjes aktive të rinisë në jetën shoqërore.
“Urban Gen”, një projekt i Fondacionit Dritan Hoxha, me mbështetjen e Agjencisë Kombëtare të Rinisë, vijon të sjellë në vëmendje çështjet që prekin drejtpërdrejt jetën dhe të ardhmen e të rinjve shqiptarë.
Top Channel