Pas dy barazimeve Vllaznia është ndalur në barazim pa gola kundër Laçit në javën e 13 të Superligës. Edhe pse të dy skuadrat tentuan për ta fituar shtyllat dhe traversat u bënë pengesë më vete. Dy her goditi shtyllën Vllaznia, ndërsa dy herë Laçi traversën, por në fund u mbyll 0-0. Për t’u evidentuar që në këtë ndeshje pati një numër shumë të vogël tifozësh.

Më herët Teuta i dha fund krizës duke mposhtur 2-3 Vorën, ndërsa të premten Partizani mori 3 pikët në derbin kundër Dinamos, që e mposhti me rezultatin 4-1. Fitore edhe për Tiranën, që në Selman Stërmasi mposhti 3-2 Skënderbeun.

Pas këtyre ndeshjeve Laçi bie në vendin e fundit me 12 pikë, 1 më pak se Partizani i vendit të nëntë. Ndërkohë java e 13 e Superligës mbyllet të dielën me ndeshjen Egnatia-Elbasani.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:28
Pamje e trishtë nga Shkodra, tifozët në ndeshjen Vllaznia-Laçi numërohen me gishtat e dorës

Ndoshta është keqmenaxhim i organizatorëve të garës, ose ndoshta e vështirëson moti me shi, por mund të ketë edhe shumë arsye të tjera. Megjithatë pamjet që vijnë nga Shkodra, në fillim të ndeshjes Vllaznia-Laçi, janë shumë të trishta.

Tifozët në stadiumin Loro Boriçi, konkretisht në tribunën përballë, numërohen me gishtat e dorës. Dhe kjo ndodh në një stadium që historikisht ka patur numrin më të lartë të tifozëve në kampionatin shqiptar. Bashkë edhe me skuadrat e kryeqytetit.

Siç e thonë edhe tifozët në Shkodër: Vllaznia është më shumë se klub. Mirëpo vitet e fundit është e vështirë të përligjet e më së shumti edhe sot.

Fakti që është ditë feste, Pavarësia e Shqipërisë, protesta, moti me shi dhe i ftohti në qytet janë disa prej arsyejeve se përse ‘Loro Boriçi’ është në këtë gjendje. Megjithatë për kë luhet ky futboll?