Agjencia ndërkombëtare Reuters ka raportuar për protestën kundër qeverisë shqiptare në Tiranë, e cila, sipas saj, është përshkallëzuar në përplasje të dhunshme mes demonstruesve dhe Policisë.
Mijëra persona, përfshirë edhe studentë, marshuan të shtunën në rrugët e kryeqytetit duke kërkuar largimin nga detyra të kryeministrit Edi Rama.
Të lidhura
None found
Përplasjet nisën pasi protestuesit hodhën gurë dhe bomba molotov në drejtim të forcave të rendit. Policia iu përgjigj me gaz lotsjellës, ujëhedhës dhe plumba gome, raportoi Reuters.
Shkaqet kryesore të pakënaqësisë lidhen me akuzat për korrupsion, mungesën e mundësive për punësim dhe vështirësitë në sistemin arsimor. Tubimet kanë nisur prej muajsh dhe janë zhvilluar jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera të vendit, ku nuk kanë munguar episodet e dhunës.
Gjatë protestës së së shtunës, një grup demonstruesish të maskuar sulmoi me gurë një ndërtesë qeveritare dhe u përpoq të hynte në zyrën e kryeministrit. Forcat e Policisë ndërhynë për t’i ndalur.
“Mjaft më; korrupsioni, varfëria, emigracioni”, deklaroi një prej protestuesve, të cilin e citon agjencia ndërkombëtare e lajmeve.
Një tjetër thirrje e përdorur gjatë tubimit ishte “Shqipëria nuk është në shitje”. Slogani lidhej edhe me polemikat për projektin luksoz bregdetar të mbështetur nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump.
Qeveria e drejtuar nga Edi Rama i ka hedhur poshtë akuzat për korrupsion dhe ka kërkuar dialog me protestuesit. Paralelisht, ajo ka njoftuar disa masa ekonomike që synojnë të ulin barrën mbi familjet në nevojë.
Reuters e përshkruan këtë situatë si një nga sfidat më të mëdha politike të Edi Ramës që nga marrja e pushtetit në vitin 2013.








