
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar pas protestës së zhvilluar në Ditën e Flamurit, duke akuzuar qeverinë për ushtrimin e dhunës ndaj protestuesve dhe sulmin ndaj selisë së PD-së. Berisha e cilësoi qëndresën e qytetarëve si një betejë heroike, ndërsa deklaroi se mbi 21 protestues janë detyruar të paraqiten në spital dhe dhjetëra të tjerë kanë marrë ndihmë mjekësore në kushte jospitalore.
Ai akuzoi policinë për përdorimin e gazit lotsjellës dhe topave të ujit, duke pretenduar se këto mjete janë drejtuar edhe ndaj gazetarëve dhe operatorëve. “Nuk është festuar ndonjëherë Dita e Flamurit dhe e Kombit si kësaj here”, u shpreh Berisha. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në protestat e ardhshme të opozitës, duke theksuar se protesta mbetet, sipas tij, e vetmja rrugë për largimin e Edi Ramës nga pushteti.
Berisha dënoi gjithashtu atë që e cilësoi si një sulm ndaj selisë së Partisë Demokratike, duke paralajmëruar kryeministrin për pasojat e veprimeve të tilla. “Paralajmëroj Ramën: Hiq dorë nga sulmet ndaj PD-së, se në mënyrë absolute mund të të kundërpërgjigjemi në një mënyrë vendimtare”, deklaroi ai.
Në përfundim, kreu i PD-së theksoi se selia e demokratëve do të vijojë të jetë e hapur për çdo protestues, pavarësisht bindjeve politike, duke nënvizuar se protesta është një e drejtë kushtetuese dhe e patjetërsueshme.