
Florian Haçkaj, nga Diaspora për Shqipërinë e Lirë, ka kritikuar mentalitetin e përqendrimit të pushtetit te një individ, duke e cilësuar atë si një nga dështimet më të mëdha të qeverive shqiptare. Sipas Haçkajt, qytetarët duhet të bashkohen rreth kauzave të përbashkëta, pavarësisht dallimeve në qëndrime apo bindje, ndërsa organizimi politik nuk duhet të jetë i varur nga figura e një lideri.
“Mund të bashkohemi rreth kauzave. Nuk kemi nevojë ta pëlqejmë shumë njëri-tjetrin, të biem dakord me çdo gjë, por mund të bashkohemi rreth kauzave. Më 18 tetor thashë në shesh ‘hajde bashkohemi t’i japim kësaj një zë politik’. Unë e thashë që dal unë garant t’ju ndihmoj me organizimin. Le të dalë i parë kush të dojë. Madje, edhe këtë ‘të parin’ ne duhet ta humbim si mendësi”, u shpreh Haçkaj.
Ai solli si shembull vendimin e tij për të mos pranuar një mandat të tretë në organizimin e diasporës, duke theksuar se forca duhet të qëndrojë te grupi dhe jo tek individi. Haçkaj kritikoi gjithashtu diskursin politik në Shqipëri, ku largimi i Edi Ramës apo Sali Berishës shoqërohet vazhdimisht me pikëpyetje se kush do t’i zëvendësojë ata.
“Këtu çfarë thonë? Po iku Rama, kush do të vijë? Ose po iku Berisha, kush do vijë? Po pse duhet të vijë një? Duhet të funksionojë gjëja. Duhet të funksionojë shteti. Ky është dështimi më i madh i Ramës dhe i çdo qeverie në Shqipëri, që ka një të parë që duhet të thotë diçka për çdo gjë. Shteti ka hallka, paguhet dhe ka njerëz profesionistë që duhet të funksionojnë hallkat”, tha Haçkaj në ”A2cnn”.