Ngadalësohet biznesi i turizmit dentar, tregu po diversifikohet përtej Italisë

Për vite me radhë, mjaftonte të gjeje pacientë italianë që kërkonin dhëmbë të rinj me çmime më të lira për të ngritur një biznes fitimprurës në Shqipëri.
Afërsia gjeografike, njohja e gjuhës dhe ngjashmëritë në mendësi e bënë Italinë tregun më të lehtë për operatorët shqiptarë. Tashmë, si çdo biznes që kur rezulton i suksesshëm dhe ka treg, operatorët që e ofrojnë këtë shërbim shtohen me shpejtësi, gara po bëhet më e ndërlikuar.
Pas zgjerimit të shpejtë të viteve të fundit, turizmi dentar po hyn në një fazë të re. Konkurrenca e shtuar po i nxit klinikat të orientohen drejt vendeve anglisht apo që e përdorin gjerësisht atë dhe atyre ku flitet frëngjisht apo spanjisht, kryesisht Britaninë e Madhe, Spanjën, Belgjikën, Francën dhe vendet nordike.
Veçanërisht tërheqëse konsiderohet Britania e Madhe, ku konkurrenca mes klinikave shqiptare është më e kufizuar dhe çmimet që u faturohen pacientëve janë më të larta sesa për klientët italianë.
Megjithatë, depërtimi në tregun britanik është më i vështirë. Pacientët atje janë më të familjarizuar me Turqinë si destinacion për trajtimet dentare dhe kanë krijuar nivel më të lartë besimi ndaj saj. Turqia mbetet gjithashtu më konkurruese në disa segmente për klientët që kërkojnë çmimin më të ulët.
Nga ana tjetër, operatorët shqiptarë pohojnë se cilësia e shërbimeve në një pjesë të klinikave turke është përkeqësuar dhe se pacientë të pakënaqur nga ndërhyrjet e kryera atje po i drejtohen Shqipërisë për trajtime të tjera apo korrigjime.
Kërkimi i klientëve në tregje të reja po ndryshon edhe mënyrën e funksionimit të biznesit.
Modeli i mbështetur te call center-at, që ishte një nga shtyllat e zgjerimit fillestar të turizmit dentar, po përdoret gjithnjë e më pak. Kostot janë rritur dhe gjetja e personelit që zotëron gjuhët e huaja, sidomos italishten, me brezin e ri që nuk e flet gjithnjë e më pak, është bërë më e vështirë.
Për këtë arsye, pjesa më e madhe e klinikave po synojnë të krijojnë prani fizike në vendet nga ku tërheqin pacientë, ose të bashkëpunojnë me agjentë që punojnë drejtpërdrejt në terren. Kontakti personal u mundëson të ndërtojnë më shumë besim dhe të organizojnë më mirë konsultimet dhe udhëtimet drejt Shqipërisë.
Ndërkohë, çmimet e trajtimeve po rriten nga viti në vit. Sipas operatorëve, një implant që më parë ofrohej për rreth 200 euro, tashmë kushton rreth 350 euro.
Pavarësisht shtrenjtimit, diferenca me tarifat jashtë vendit mbetet e konsiderueshme. Në Itali, e njëjta ndërhyrje mund të kushtojë dyfishin, ndonëse konkurrenca nga turizmi dentar ka nxitur edhe studiot dentare italiane të ulin çmimet.
Një nga vështirësitë më të mëdha të këtij biznesi mbetet organizimi i trajtimeve. Pacientët shpesh duhet të udhëtojnë dy herë drejt Shqipërisë, duke qëndruar zakonisht tri deri në katër ditë gjatë vizitës së parë dhe gjashtë deri në shtatë ditë gjatë së dytës.
Për klinikat, kjo kërkon koordinim të vazhdueshëm të ndërhyrjeve, orareve dhe akomodimit, që është i vështirë të realizohet duke u mbështetur te palët e treta.
Për të kontrolluar më mirë këtë proces, shumë operatorë po blejnë hotele ose apartamente pranë klinikave, duke siguruar vetë qëndrimin e pacientëve. Investimet nuk janë orientuar drejt krijimit të strukturave të mirëfillta që ofrojnë një paketë të integruar të shërbimeve mjekësore dhe turistike, por kryesisht drejt zgjidhjes së nevojave praktike të akomodimit.
Vështirësitë e organizimit dhe koha e gjatë që kërkojnë trajtimet dentare po i shtyjnë disa kompani të zgjerohen edhe në segmente të tjera të turizmit mjekësor.
Ndërhyrjet që realizohen brenda një vizite dhe nuk kërkojnë rikthimin e pacientit janë më të thjeshta për t’u menaxhuar dhe mundësojnë arkëtim më të shpejtë të të ardhurave, pa angazhimin e gjatë që kërkon stomatologjia.
Në fakt, pacientët e turizmit dentar janë turistë vetëm në kuptimin statistikor. Ata vijnë për një ndërhyrje të caktuar, qëndrojnë kryesisht në hotelin pranë klinikës dhe lëvizin pak gjatë ditëve të trajtimit.
Konsumi i tyre jashtë shërbimit dentar kufizohet kryesisht tek akomodimi dhe ushqimi.
Edhe bashkëpunimi mes klinikave, hoteleve dhe operatorëve të tjerë turistikë për të ofruar ekskursione, vizita apo shërbime të tjera shtesë mbetet i kufizuar për shkak të mungesës së interesit të kësaj kategorie që vjen në Shqipëri vetëm për një qëllim të caktuar. Si rrjedhojë, rritja e turizmit dentar nuk po shoqërohet domosdoshmërisht me ndikim të gjerë në aktivitetet e tjera turistike.
Cilësia e shërbimeve është një tjetër element ku tregu po ndryshon. Sipas operatorëve, standardet e përgjithshme në Shqipëri janë përmirësuar, por vazhdojnë të ketë klinika që konkurrojnë duke përdorur implante dhe materiale shumë të lira, shpesh me cilësi të diskutueshme. Kostoja e materialeve, sipas tyre, rrallë e kalon 15% të shumës që paguan pacienti.
Megjithëse kjo peshë është relativisht e ulët, një pjesë e operatorëve vijojnë të kërkojnë kursime edhe në këtë zë, duke rrezikuar cilësinë e trajtimit, që mund të ndikojë negativisht imazhin e sektorit, pasi këto shërbime mund të japin efekte negative edhe vite më vonë.
Të dhënat e bilanceve të shoqërive më të mëdha në këtë segment tregojnë se ritmet e rritjes janë ngadalësuar ndjeshëm vitet e fundit në nivele njëshifrore. Ndonëse ky biznes vijon të raportojë norma të larta kthimi, edhe fitimet po tkurren të ndikuara si nga shtimi i konkurrencës, rritja e çmimeve të shërbimeve, por dhe nga zhvlerësimi i Euros që ka prekur të ardhurat e rrjedhimit dhe rezultatin financiar.
Më të mëdhenjtë e stomatologjisë
“Brianza Dent” është operatori më i madh në fushën e shërbimeve dentare, me aksioner Dr. Luan Mavriqi. Pas rritjes së shpejtë dyshifrore të viteve të fundit, në 2024 dhe 2025 zgjerimi është ngadalësuar.
Të ardhurat e kompanisë ishin rreth 1.4 miliardë lekë në 2025-n, me rritje rreth 8%.
Fitimet ranë lehtë me 6% në 342 milionë lekë. Norma qëndroi në rreth 25%, nga 37% që ishte dy vjet më parë.
Klinika, sipas faqes së internetit, ofron një sërë shërbimesh dentare si implantet, fasetat, e-max, aparatet dentare, ortondoncia. Klinika thekson se u shërben si klientëve vendas, ashtu edhe të huaj.
“M&M Medical”, me aktivitet në fushën e stomatologjisë, është një shoqëri e krijuar në dhjetor 2023, nga ortaku i vetëm Egresa Mavriqi, po pjesë e grupit “Brianza”. Shoqëria raportoi në vitin e dytë të aktivitetit të ardhura rreth 1.4 miliardë lekë pothuajse në të njëjtin nivel me vitin e mëparshëm.
Megjithatë fitimet para taksave ranë ndjeshëm në 196 milionë lekë, nga 580 milionë lekë në 2024-n, duke bërë që shoqëria të dalë nga lista e “Monitor 200”, sipas fitimeve ku kishte hyrë që në vitin e parë të aktivitetit.
Sipas raportit të aktivitetit, shoqëria kishte mesatarisht 220 punonjës në vitin 2025, nga 236 vitin e mëparshëm. “Shoqëria M&M Medical sh.p.k., ashtu si e gjithë ekonomia, është e ekspozuar ndaj riskut të çmimeve, të kreditit, të likuiditetit dhe të flukseve të parasë.
Faktor në këtë risk është padyshim dhe rritja e të gjitha çmimeve të blerjeve të mallrave, inflacioni që konkretizohet dhe me kursin e këmbimit të monedhave, pasi shumica e klientëve tanë janë në monedhë të huaj, kryesisht euro, e cila si rrjedhim ka sjellë dhe uljen e të ardhurave të kompanisë”, thuhet në raportin e aktivitetit.
“UPTC”, me qendër në Lushnjë, që operon me emrin tregtar “My Dental Tourism” (Azalea) raportoi të ardhura 803 milionë lekë, me rritje 22%, pas zgjerimit me 28% vitin e mëparshëm. Edhe fitimet u shtuan me 34%, në 116 milionë lekë.
Shoqëria është themeluar në 2017-n dhe po zgjerohet me shpejtësi duke i dhënë impuls të gjithë qytetit, përmes tërheqjes së turistëve, që potencialisht shpenzojnë në këtë qytet, që nuk njihet shumë nga të huajt.
Aktiviteti i saj është përqendruar në fushat: Shërbime dentare (stomatologji të përgjithshme dhe të specializuara); Turizëm dentar (akomodim dhe transport për pacientët e huaj); Shërbime estetike. Në Lushnjë, shoqëria operon me dy klinika dentare dykatëshe.
“Elite dental” raportoi 480 milionë lekë të ardhura në vitin 2025, me normë prej 47%, duke qenë ndër më të mëdhenjtë e këtij sektori.

Shqipëria, klinikat dentare disa herë më të mëdha se në Ballkanin Perëndimor, të krahasueshme me Kroacinë dhe Rumaninë
Zgjerimi i turizmit dentar ka krijuar në Shqipëri kompani me përmasa që tejkalojnë disa herë operatorët kryesorë të identifikuar në Serbi dhe Mal të Zi, ndërsa janë të krahasueshme me klinikat e mëdha të Kroacisë dhe Rumanisë.
Në vitin 2025, “Brianza Dent” më i madhi në vend, realizoi rreth 14.5 milionë euro të ardhura.
Në Serbi, “Dr. Lolin”, një ndër operatorët e mëdhenj të stomatologjisë, realizoi 3.6 milionë euro të ardhura dhe 1.5 milionë euro fitim neto në vitin 2025, me normë 40.5%.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Regjistrave të Biznesit të Serbisë (APR), të publikuara nga CompanyWall, klinika kishte 24 punonjës. “Dental Plaza”, me aktivitet në Beograd, realizoi 1.7 milionë euro të ardhura dhe 421 mijë euro fitim neto, me normë 25.4% dhe 31 punonjës.
Diferenca është edhe më e theksuar me Malin e Zi. Sipas renditjes së BizStats për vitin 2025, bazuar në pasqyrat financiare të kompanive, “Mićunović Medical” kryesonte aktivitetin stomatologjik me 801 mijë euro të ardhura dhe 124 mijë euro fitim, ndërsa “Buntić” realizoi 435 mijë euro të ardhura dhe 112 mijë euro fitim.
I gjithë sektori numëronte 342 subjekte, me të ardhura të përbashkëta prej rreth 19.7 milionë eurosh.
Në Kroaci, ku turizmi dentar është zhvilluar prej vitesh, veçanërisht falë pacientëve italianë, klinikat kanë përmasa të ngjashme me ato shqiptare. Sipas Agjencisë Financiare të Kroacisë (FINA), “Poliklinika Rident”, me qendër në Rijekë, realizoi 14.8 milionë euro të ardhura dhe 1.1 milionë euro fitim neto në vitin 2025.
“Štimac”, e specializuar në trajtime stomatologjike dhe implante, kishte 7.4 milionë euro të ardhura dhe 2.1 milionë euro fitim, ndërsa “Kalmar Implant Dentistry” realizoi 7.2 milionë euro të ardhura dhe 1.9 milionë euro fitim neto.
Kroacia ka ecur më tej në konsolidimin e sektorit. “Adria Dental Group”, e krijuar në vitin 2021, përmes bashkimit dhe blerjes së klinikave, është zgjeruar në Kroaci, Slloveni dhe Itali.
Sipas të dhënave të publikuara nga investitorët e grupit në vitin 2026, ai ka 12 klinika në 16 vendndodhje, mbi 700 punonjës dhe më shumë se 60 milionë euro të ardhura vjetore. Grupi është zhvilluar përmes investimeve në teknologji, pajisje, laboratorë dhe personel të specializuar.
Edhe Rumania ka një industri stomatologjike me përmasa të konsiderueshme. Sipas renditjeve të kompanive për vitin 2025, “Dentop Clinic”, në Bukuresht, realizoi rreth 19 milionë euro të ardhura dhe 9.3 milionë euro fitim neto, me normë 48.8%.
Kompania kishte 44 punonjës. “Implant Expert”, një tjetër operator i madh, raportoi rreth 18.2 milionë euro të ardhura, por rezultoi me humbje neto prej rreth 2 milionë eurosh.
Në total, 9,270 subjekte të stomatologjisë, sektori rumun realizoi rreth 1.4 miliardë euro të ardhura në vitin 2025, me rritje 10.3%, dhe 226 milionë euro fitim neto.
Numri i të punësuarve ishte mbi 20 mijë, sipas një analize të SMarketing Lab.
Një model tjetër zhvillimi përfaqëson Turqia, e cila është kthyer në një nga destinacionet kryesore ndërkombëtare të turizmit mjekësor, përfshirë trajtimet dentare.
Sipas të dhënave të institucionit turk USHAŞ, të mbështetura në statistikat e TÜİK, vendi priti rreth 1.4 milionë vizitorë për qëllime shëndetësore në vitin 2025, nga 1.5 milionë në vitin 2024. Të ardhurat nga kjo kategori turistësh arritën në rreth 3 miliardë dollarë. Shifrat përfshijnë të gjithë turizmin mjekësor dhe jo vetëm stomatologjinë.
Turqia ka ndërtuar një industri të orientuar drejt pacientëve ndërkombëtarë, sidomos nga Europa, duke u mbështetur te çmimet konkurruese, marketingu dhe paketat që përfshijnë trajtimin, akomodimin dhe transportin.
Shtohet konkurrenca dhe për shërbimet estetike
Në Aeroportin e Rinasit nuk mund të mos të të tërheqin vëmendjen të huaj që largohen me hundë e kokë të fashuar, që sapo kanë kryer ndërhyrje estetike në klinikat shqiptare.
Çmimet më të ulëta se në vendet e tyre kanë nxitur vitet e fundit zhvillimin e turizmit mjekësor, që përfshin ndërhyrjet plastike, transplantin e flokëve dhe trajtime të tjera për përmirësimin e pamjes.
Por, ashtu si në turizmin dentar, rritja e shpejtë ka tërhequr gjithnjë e më shumë operatorë, duke shtuar konkurrencën për pacientët e huaj, kryesisht italianë. Tregu po bëhet më i vështirë edhe për klinikat e konsoliduara, të cilat, pas periudhës së zgjerimit të shpejtë, po përballen me ngadalësim të aktivitetit, madje edhe rënie të të ardhurave dhe të fitimeve.
Një problem i sektorit është informaliteti. Një pjesë e trajtimeve estetike me karakter mjekësor ofrohen në qendra kozmetike që nuk kanë të njëjtat standarde monitorimi dhe raportimi financiar si klinikat e specializuara.
Pagesat kryesisht në para fizike dhe mungesa e të dhënave të detajuara për sektorin vështirësojnë kontrollin, ndërsa konkurrenca me çmime të ulëta mund të cenojë sigurinë e pacientëve.
“Në kirurgjinë estetike, elementi kyç për pacientin duhet të jetë siguria kirurgjikale”, ka pohuar më herët për “Monitor” Skerdi Faria, drejtues i Klinikës Spitalore “Keit”. Ai rendit mes faktorëve vendimtarë edhe infrastrukturën mjekësore, cilësinë e materialeve, përvojën e ekipit dhe ndjekjen pas ndërhyrjes.
“Sombrero” (Klinika Keit) është më e madhja në vend për mjekësinë e specializuar estetike dhe e vetmja që është pjesë e listës së 1000 kompanive më të mëdha për të ardhurat në 2025-n, teksa operatorët e tjerë kanë të ardhura më të ulëta se rreth 400 milionë lekë (rreth 4.2 milionë euro) që është kufiri i kësaj liste.
Në vitin 2025, të ardhurat e kompanisë ishin për të dytin vit radhazi në tendencë rënëse, duke u tkurrur me 22%, në rreth 660 milionë lekë.
Për të dytin vit radhazi kompania është jashtë listës së “Monitor 200”, pasi fitimet ranë sërish duke u reduktuar në 75 milionë lekë, të ndikuara si nga tkurrja e të ardhurave ashtu dhe nga shtimi i shpenzimeve, kryesisht ato për lëndë të parë.
Z.Faria ka pohuar se pacientët sot janë më të informuar dhe më të orientuar drejt standardeve ndërkombëtare. Sipas tij, krahas ndërhyrjeve tradicionale, po rritet kërkesa për rinoplastika të avancuara, konturim të trupit dhe teknika më pak invazive për lifting-un e fytyrës.
Tregu po ndryshon. Sipas operatorëve, pacientët janë bërë më kërkues dhe po orientohen drejt rezultateve natyrale, ndërhyrjeve të personalizuara dhe procedurave më pak invazive. Po rritet interesi për trajtimet që ruajnë tiparet natyrale, ndërsa siguria dhe përvoja e mjekut po marrin më shumë rëndësi në vendimmarrjen e pacientëve.
Sipas burimeve nga operatorët në treg, edhe për ndërhyrjet estetike, klientët kryesorë janë italianët. Disa nga procedurat kirurgjikale që zakonisht kanë një kërkesë të lartë dhe preferohen nga pacientët janë:
– Lipoaspiracioni (liposuksioni), një procedurë e zakonshme për heqjen e yndyrës së tepërt nga zona e trupit si abdomeni, beli, gjinjtë dhe kofshët.
– Rinoplastika, një ndërhyrje për ndryshimin e formës së hundës për të përmirësuar pamjen e fytyrës.
– Face Lift: Kjo është një ndërhyrje për të zbutur rrudhat dhe për të kthyer një pamje më të re të fytyrës.
– Rritja e gjoksit: Në këtë kategori përfshihen ndryshimet e madhësisë së gjoksit përmes implanteve ose transferimit të yndyrës së trupit.
– Abdominoplastika: Një procedurë për të hequr qelizat e tepërta të lëkurës dhe yndyrën nga zona e barkut.
– Transplantimi i flokëve: Për persona me humbje të dukshme të flokëve, transplantimi i flokëve është një opsion, ku kërkesat janë kryesisht nga të huaj.
Edhe spitalet private po e shohin me interes ofrimin e shërbimeve estetike. “American Hospital”, më i madhi në vend, ka pohuar më herët se do të fokusohet edhe në zgjerimin e aktivitetit të tij edhe jashtë territorit të Shqipërisë dhe zhvillimin e turizmit mjekësor, duke rritur edhe më tej kapacitetet e shërbimit.
“Sektori shëndetësor është një zonë me mundësi në rritje për investitorët spitalorë, veçanërisht ata që kërkojnë të synojnë pacientë ndërkombëtarë nga tregjet e afërta europiane si Italia, Greqia dhe Ballkani.
Shumë pacientë të huaj tashmë po udhëtojnë drejt Shqipërisë për shërbime shëndetësore cilësore me kosto më të ulëta dhe kjo prirje pritet të vazhdojë të rritet me përmirësimin e standardeve të kujdesit shëndetësor privat”, thuhet në raport.
Lexoni edhe:
200 kompanitë me fitime më të larta; Ekonomia e shtrembëruar nga tenderat dhe informaliteti
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









