Interi nuk pati aspak mëshirë për Genoan në sfidën e javës së 13 të Serisë A. Në San Siro zikaltrit fituan me shumë lehtësi ndaj skuadrës xhenoveze me rezultatin 4-0 në një sfidë ku në fushë ishte edhe Mario Mitaj.

Daniele De Rossi vendosi ta aktivizojë si titullar mbrojtësin e Kombëtares shqiptare, por Interi ishte i papërballueshëm për skuadrën kuqeblu. Në fakt, kampionët e Italisë i mbyllën llogaritë e kësaj ndeshjeje praktikisht që në pjesën e parë të cilën e mbyllën me avantazhin 3-0.

Rezultati u zhbllokua në minutën e 29 nga Lautaro Martinez  që shënoi pas një asisti të Andy Diouf. Pas kësaj të besuarit e Chivut nuk u ndalën dhe në minutën e 40 dyfishuan shifrat me Marcus Thuram që u shërbye nga Lautaro Martinez, ndërkohë që pak para mbylljes së fraksionit të parë të lojës erdhi edhe goli i tretë për zikaltrit që u shënua nga Susic me penallti.

Në pjesën e dytë Interi gjeti edhe golin e katërt me Marcus Thuram që në këtë mënyrë plotësoi dygolëshin e tij personal. Në minutat e mbetura nuk ndodhi më asgjë dhe sfida u mbyll me rezultatin 4-0 për Interin që me këtë fitore parakalon për momentin Romën duke i rrëmbyer vendin e dytë në renditje.

Top Channel