Sa mirë!

Shoqatat e gazetarëve dhe të medias dënojnë dhunën e ushtruar ndaj punonjësve të medias, gazetarëve e operatorëve. Shumë mirë bëni!

Solidariteti në këto kohë të vështira është i nevojshëm. Edhe ne jemi me ju!

Po për dhunën që ushtrohet ndaj nesh, qytetarëve, që jemi edhe mbështetësit tuaj, a do ta ngrejë ndokush zërin?

Jo për ata që hiqen si qytetarë, ushtrojnë dhunë e më pas bëjnë si fakirë, sikur u kanë rënë më qafë. Për ata që qarraviten në komisariatet e policisë. Ata janë horra, banditë dhe huliganë.

Për ata bëni gabim që protestoni. A do të protestoni për ne, që jemi shumica në vend dhe ndiejmë neveri kur e djegin Tiranën?

A do të protestoni kundër atyre që shkatërrojnë pronën, djegin institucionet dhe synojnë ta çojnë vendin në përplasje civile?

Ju, shoqatat e medias, a do të thoni ndonjë fjalë për policin që mori flakë nga molotovi i protestuesve “engjëj e paqësorë”, që i bëjnë thirrje njëri-tjetrit të djegin ndonjë polic?

Sepse edhe ai është bir nëne! Gazetarët u goditën me ujë apo me mjete të tjera dhune, ndërsa këtë polic të varfër për pak e përpinë flakët. Mund të kishte humbur jetën. Dhe nuk është rasti i parë!

Po për ata me maska, që fshihen si lepuj, që hedhin gurin e fshehin dorën, a do të thoni ndonjë fjalë?

Sepse, në parim, edhe ne, edhe ju e dënojmë dhunën.

Por ka ca forca që hiqen si demokratike dhe jetojnë me dhunë. I gënjen mendja se atë që nuk e arrijnë dot me zgjedhje, do ta imponojnë si zgjidhje politike nëpërmjet dhunës. Për ta, a do të thoni ndonjë fjalë?

Pika që nuk u bie atyre! Ende nuk kanë mësuar se me dhunë nuk shkon dot as te porta e oborrit tënd, lëre më të marrësh pushtetin.