Britania e Madhe po investon miliona për të luftuar rrjetet e kontrabandimit të migrantëve në Kurdistanin irakian, një rajon që konsiderohet nga gazeta britanike “The Times” si një prej qendrave kryesore të këtij aktiviteti kriminal.
Sipas reportazhit, rrjetet e kontrabandistëve kurdë nga Iraku dominojnë organizimin e kalimeve të paligjshme të migrantëve përmes Kanalit të La Manshit drejt brigjeve britanike.
Për të frenuar këtë fenomen, autoritetet britanike po investojnë në masa që synojnë goditjen e rrjeteve kriminale në vendet ku ato organizojnë aktivitetin e tyre. Mes këtyre masave përfshihet edhe përdorimi i skanerëve ultravjollcë.
Sipas investigimit të gazetës britanike, bashkëpunimi me autoritetet vendase ka përmirësuar kontrollet kufitare dhe ka shtuar presionin ndaj grupeve kriminale, por nuk ka arritur të ndalojë largimin e migrantëve drejt Britanisë.
Autoritetet kanë ndërmarrë hetime ndaj agjencive të udhëtimit dhe kanë mbyllur disa pika të transferimit të parave. Një nga pengesat kryesore mbetet mungesa e një ligji të posaçëm kundër kontrabandimit të migrantëve në rajonin autonom të Kurdistanit. Ngërçi politik ka penguar miratimin e legjislacionit, duke vështirësuar ndjekjen penale të qindra personave të dyshuar.
Më 28 nëntor 2024, Britania e Madhe dhe Iraku nënshkruan një marrëveshje sigurie për të luftuar kontrabandimin e migrantëve dhe krimin e organizuar ndërkombëtar.
Marrëveshja u arrit gjatë vizitës së ministres së atëhershme të Brendshme britanike, Yvette Cooper, në Irak dhe në rajonin autonom të Kurdistanit.
Në kuadër të saj, qeveria britanike njoftoi financimin e disa projekteve, përfshirë:
– 300 mijë paund për trajnimin e autoriteteve kufitare irakiane;
– 200 mijë paund për forcimin e sigurisë kufitare dhe krijimin e një strukture të posaçme kundër emigracionit të parregullt;
– Rreth një milion paund financim shtesë, të njoftuar në mars të vitit 2025, për luftën kundër drejtuesve të rrjeteve kriminale.
Mbi 100 punonjës të autoriteteve kufitare dhe të kompanive ajrore irakiane janë përfshirë në programet e trajnimit, ndërsa Britania ka siguruar pajisje të specializuara për laboratorët kriminalistikë në Erbil, Sulaymaniyah dhe Dohuk.
Problemet ekonomike, papunësia dhe imazhet e jetës në Britani që qarkullojnë në rrjetet sociale vijojnë të nxisin largimin e të rinjve nga rajoni. Një adoleshent i intervistuar nga gazeta britanike tregoi se familja e tij kishte grumbulluar 15 mijë paund për të financuar udhëtimin e tij. Ndërkohë, autoritetet po diskutojnë mundësinë e ndërlidhjes së bazave të të dhënave biometrike për verifikimin e identitetit të migrantëve, një projekt që vlerësohet se kushton rreth 7.5 milionë paund.
Në mars të vitit 2025, qeveria britanike nisi gjithashtu një fushatë informuese në Kurdistanin irakian, për të paralajmëruar qytetarët mbi rreziqet e udhëtimeve të organizuara nga kontrabandistët dhe premtimet e rreme që këta të fundit përhapin në internet.
