Erion Veliaj dhe Ilir Meta ndodhen në paraburgim, por gjykatat kanë vendosur pezullimin e afateve të paraburgimit në proceset ndaj tyre. Kjo do të thotë se koha që kalojnë realisht në qeli vazhdon, ndërsa afati ligjor që kufizon paraburgimin ndalet së numëruari. Është një paradoks që kërkon përgjigje publike: si mund të quhet drejtësi kur njeriu mbetet pas hekurave, por ditët e tij nuk ecin në llogarinë e afatit?
Nuk po analizojmë se gjykata kushtetuese ka vendosur që Veliaj duhet të hetohet i lirë dhe të ushtrojë detyrën në Bashki dhe paralelisht të vazhdojë hetimi gjyqësor. Por çuditerisht gjykata e lartë e la brenda në qeli. Edhe Ilir Meta mund e duhet të hetohet i lirë pasi nuk ka se çfarë provash të prishi apo nuk arratiset, pasi ai ishte jashtë shtetit dhe erdhi në Tiranë. Pra mbajtja e tyre i kushton shtetit, por me sbumë atyre. Nëse do të shpallen të pafajshëm ata do ti marrin shtetit miliona euro. Dhe këto miliona do paguhen nga taksat e shqiptarëve.
Ligji e lejon pezullimin vetëm në rrethana të përcaktuara. Por kjo nuk mund të kthehet në një mekanizëm automatik, as në një mënyrë për t’ia ngarkuar të pandehurit çdo vonesë të procesit. Gjykatat duhet të tregojnë me saktësi cilat veprime konkrete të të pandehurit ose të mbrojtjes e justifikojnë masën. Nuk mjaftojnë formula të përgjithshme; kur liria kufizohet, arsyetimi duhet të jetë i fortë, individual dhe i verifikueshëm.
Nëse seanca shtyhet për shkak të një njoftimi të parregullt, mungesës së gjyqtarit, bojkotit të avokatëve apo problemeve të administrimit gjyqësor, përgjegjësia nuk mund t’i faturohet verbërisht të pandehurit. Për rastin e Veliajt janë raportuar problematika me njoftimin e një seance apo arësye që nuk varen nga Veliaj; kurse Meta ka kundërshtuar pezullimin dhe ka deklaruar se ka qenë i pranishëm. Gjykatat i kanë rrëzuar ankimet e tyre, por publiku meriton të shohë arsyetimin e plotë: cilat shtyrje u llogaritën, kujt iu atribuan dhe mbi ç’prova u mbështet vendimi.
Paraburgimi nuk është dënim dhe as gjykimi nuk mund të zvarritet pa kufi. Nëse shteti mban dikë në qeli, duhet të mbajë edhe përgjegjësi për ligjshmërinë dhe kohëzgjatjen e kësaj mase. Ora e paraburgimit nuk mund të ndalet me një vendim të paqartë, ndërsa njeriu vazhdon të numërojë ditët pas hekurave. Parimi i barazisë para ligjit kërkon vendime të arsyetuara, jo pezullime që e bëjnë kufirin ligjor gjithnjë e më të largët.
Me sa duket të dy, dyshohet, se mbahen me shumë për arësye hakmarrje politike.
