12 persona janë arrestuar dhe 19 të tjerë janë proceduar penalisht pas protestës së 28 Nëntorit, të zhvilluar në Tiranë, kundër kryeministrit Edi Rama.
Policia thotë, në njoftimin zyrtar, se këta persona kanë kundërshtuar dhe goditur me sende të forta efektivët, kanë përdorur lëndë piroteknike dhe bomba molotov, kanë bllokuar qarkullimin dhe dëmtuar pronën publike.
Protesta e djeshme u shoqërua me tensione, përplasje mes protestuesve dhe policisë, ndërsa të paktën 47 persona u raportuan të lënduar, përfshirë protestues, gazetarë kalimtarë dhe efektivë.
Efektivët përdorën gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë me presion për të shpërndarë turmën, ndërsa protestuesit u kundërpërgjigjën me gurë dhe molotovë.
Policia përdori edhe dronë për hedhjen e gazit lotsjellës.













