Aktualitet

Dëborë mbi 25 centimetra në qafat malore, ngrica në akse të Kukësit dhe Dibrës!

Dëbora dhe temperaturat e ulëta në verilindje, sjellin vështirësi në disa zona malore. Në Kukës, Bulqizë e Dibër, reshjet e borës shoqërohen me ngrica në rrugë dhe rënie të ndjeshme të temperaturave, ndërsa në liqenin e Kukësit janë rritur ndjeshëm prurjet.

Në qafat malore të qarkut Kukës, në mbi 800 metra lartësi, trashësia e dëborës kalon 20 centimetra, ndërsa ngricat kanë vështirësuar qarkullimin në disa fshatra të njësive administrative Arrën, Kalis, Grykë-Çajë, Shishtavec, Zapod e Topojan.

Reshjet kanë sjellë rritje të prurjeve në liqenin e Kukësit, duke kaluar 450 metra kub në sekondë në dy ditët e fundit.

Në Bulqizë, reshjet e dëborës kanë zbardhur qytetin dhe zonat përreth, me temperaturat që kanë zbritur deri në minus 6 gradë Celsius. Ngrica ka në akset Bulqizë–Peshkopi, Ura e Çerenecit–Librazhd e Qafë e Buallit–Krastë, duke vështirësuar lëvizjen e automjeteve.

Në Peshkopi, dëbora arrin në 15 centimetra, ndërsa në zonat e thella malore të qarkut Dibër, mbi 25. Temperaturat e ulëta kanë krijuar ngrica, por qarkullimi paraqitet i qetë.

Autoritetet u bëjnë apel drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar, të përdorin goma dimërore e zinxhirë në zonat malore, si dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme.