Ka mbetur një kosh plehrash…
Sopranoja shqiptare me famë ndërkombëtare, Ermonela Jaho, ka përcjellë një mesazh emocionues për shqiptarët me rastin e 28 Nëntorit, teksa ndodhej në Vjenë, pak para se të ngjitej në skenë në rolin e Madama Butterfly.
Kjo shfaqje shënonte një moment të veçantë në karrierën e saj, performancën e 200-të në këtë rol. Përmes një mesazhi në emisionin “Goca dhe Gra”, Jaho ka shprehur mallin dhe dashurinë për atdheun, duke përcjellë edhe një apel për më shumë dashuri, respekt dhe solidaritet mes shqiptarëve.
“Përshëndetje nga Vjena. Jam gati për të hyrë në skenë, në rolin e Madama Butterfly. E sot shënon edhe numrin 200 të këtyre shfaqjeve. Por mendja në këtë ditë të rëndësishme më shkon drejt Shqipërisë. Shqipëria ime, larg syve por kurrë larg zemrës. Atdheu është ajo dashuri që nuk njeh largësi, ai mall që nuk plaket dhe ajo rrënjë që asnjë stuhi nuk e shkul dot. Në këtë 28 Nëntor, uroj më pak lot malli në sytë e nënave, më shumë shpresë në zemrat e të rinjve dhe më shumë dashuri mes shqiptarëve. Sa madhështore do të ishte Shqipëria sikur ta donim njëri-tjetrin po aq shumë sa duam flamurin tonë. Sepse atdhedashuria nuk është vetëm të ngresh flamurin lart, por mos të lejosh që dinjiteti i bashkëkombësit tënd të bjerë poshtë. Me gjithë shpirt uroj gëzuar 28 Nëntorin, motrave, vëllezërve dhe bashkatdhetarëve të mi shqiptarë kudo në botë. Uroj që një ditë Shqipëria të mos jetë vetëm vendi për të cilin na merr malli aq shumë. Por vendi ku çdo zemër shqiptari të gjejë lumturinë për të cilën ëndërron. Përjetësisht krenare për rrënjët tona, përjetësisht përgjegjës për lulet që do të çelin prej këtyre rrënjëve. Gëzuar 28 Nëntorin të gjitha zonjave të nderuara, motrave të mia të emisionit “Goca dhe Gra” dhe të gjithë shqiptarëve në botë kudo janë”, shprehet Jaho në mesazhin e saj.
Top Channel