Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka vënë në dyshim të dhënën e raportit të Qeverisë Kurti se gjatë mandatit janë ndërtuar 800 kilometra rrugë. Ajo i ka kërkuar Qeverisë të publikojë listën e plotë, ku për secilën rrugë të shënohen gjatësia, data e përfundimit dhe burimi i financimit.
Sipas Bajramit, lista duhet të tregojë sa kilometra janë ndërtuar nga Qeveria, sa janë bashkëfinancuar dhe sa rrugë i kanë shtruar vetë komunat. Ajo ka theksuar se komunat marrin rreth 21% të buxhetit të përgjithshëm dhe se puna e kryer me fondet e tyre duhet t’u njihet atyre.
Të lidhura
None found
Në reagimin e saj, Bajrami e ka quajtur raportin si raport të “perlave të Kurtit”. Duke iu referuar një pjese të tij të paraqitur në foto, ajo ka kritikuar përfshirjen e rrugëve të papërfunduara si kursime dhe të investimeve ende të planifikuara si arritje.
Si shembull, ajo ka përmendur 150 milionë eurot që Qeveria i paraqet si kursim për rrugën Kijevë-Zahaq, pas anulimit të shpronësimeve. Bajrami ka pyetur se ku është rruga, duke argumentuar se kostoja mund të vlerësohet vetëm pasi ajo të përfundojë.
Ajo ka kundërshtuar edhe paraqitjen si sukses të 200 milionë eurove të parapara për hekurudhën Hani i Elezit-Leshak. Sipas deputetes, pas shumë vitesh në pushtet, Qeveria po rendit si arritje atë që vetëm e ka planifikuar, ndërsa gjendja e hekurudhave dhe e trenave në Kosovë është e njohur.
Bajrami është ndalur gjithashtu te 51,5 milionë eurot për 19 kontrata të mirëmbajtjes së rrugëve. Ajo ka thënë se qytetarët që udhëtojnë aktualisht mund ta shohin vetë gjendjen: sipas saj, ka rrugë me borë gjithandej dhe në shumë prej tyre nuk shihen punëtorë duke i pastruar.
Duke iu kthyer pretendimit për 800 kilometra rrugë të ndërtuara gjatë mandatit, Bajrami e ka sfiduar Qeverinë t’i bëjë publike të dhënat për secilën prej tyre. “Publikojeni listën!”, ka kërkuar ajo.








