Marrëveshja mbështetet në parimet e gjithëpërfshirjes, respektimit të fituesit të zgjedhjeve dhe ndarjes së përgjegjësive institucionale. Në takim, Kurti dhe anëtarët e Këshillit u shprehën në favor të bashkëpunimit dhe të marrjes së përgjegjësive të përbashkëta nga të gjithë anëtarët. Sipas Qeverisë, u mirëprit edhe mundësia që marrëveshjes t’i bashkohen pesë anëtarët e Lëvizjes së Progresit Demokratik.

Pas zgjedhjeve të 8 nëntorit dhe përsëritjes së votimit më 22 nëntor në Breznicë dhe Samolicë, lista PVD–AL, e udhëhequr nga Enkel Rexhepi, doli e para me 4.752 vota dhe 10 mandate. LPD–PDSH, e udhëhequr nga Shqiprim Musliu, mori 4.267 vota dhe nëntë mandate. APN-ja e Levent Qazimit fitoi 2.843 vota dhe pesë mandate, ndërsa PD–LR, me në krye Sali Salihin, mori 2.410 vota dhe po ashtu pesë mandate.

Në takim u diskutua edhe për vazhdimin e bashkëpunimit politik dhe institucional mes shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Qeveria e Kosovës ritheksoi zotimin për të mbështetur shqiptarët në këto tri komuna, për të avancuar të drejtat e tyre dhe për të fuqizuar institucionet e tyre përfaqësuese.