Aktualitet

Dhuna dje në protestën antiqeveritare në Tiranë, Ministria e Shëndetësisë: 61 të lënduar!

61 të lënduar nga protesta e një dite më parë në Tiranë, sipas bilancit të përditësuar nga Ministria e Shëndetësisë.

Mes tyre, 25 efektivë, 22 protestues, 6 gazetarë, 6 kalimtarë, një punonjës sigurie dhe një deputet.

Pesë prej të plagosurve vijojnë të shtruar në Spitalin Universitar të Traumës.

Konkretisht, një efektiv, dy protestues, një gazetar dhe një kalimtar.

Lidhur me gjendjen e protestuesit që u dëmtua në sy, Ministria e Shëndetësisë njofton se pësoi kontuzion të globit okular dhe jo dëmtim nga prania e një trupi të huaj.

Vijon të ndiqet nga mjekët specialistë.

Në Spitalin e Traumës u paraqitën 50 persona, ndërsa në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” morën ndihmë 11 të lënduar, mes tyre një deputet, identiteti i të cilit nuk jepet nga ministria.

Me përjashtim të pesë pacientëve që vijojnë të marrin trajtim te Trauma, të lënduarit e tjerë lanë spitalet, me këshillën e mjekëve.

Protesta kundër qeverisë Rama, dje në ditën e 114-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, zgjati mbi 10 orë dhe u shoqërua me episode dhune.

Protestuesit hodhën molotovë e gurë drejt forcave të rendit që përdorën gaz lotsjellës, ujë me presion e plumba gome.

Një efektiv u përfshi nga flakët nga një molotov.