Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka publikuar bilancin përfundimtar të personave të lënduar gjatë protestës së 28 nëntorit. Në dy spitalet kryesore në Tiranë janë paraqitur për ndihmë mjekësore gjithsej 61 persona.
Mes të lënduarve janë efektivë policie, protestues, gazetarë, kalimtarë, punonjës sigurie dhe një deputet. Sipas Ministrisë, pesë persona vijojnë të jenë të shtruar në Spitalin Universitar të Traumës, ndërsa të gjithë të lënduarit e paraqitur në QSUT e kanë lënë spitalin.
Në Spitalin e Traumës janë paraqitur 50 persona, mes tyre 17 efektivë policie, 21 protestues, 6 gazetarë dhe 6 kalimtarë.
Aktualisht, në këtë spital vijojnë të marrin trajtim një efektiv policie, dy protestues, një gazetar dhe një kalimtar. Ministria bën me dije se njëri prej protestuesve është paraqitur me kontuzion të bulbit okular dhe po ndiqet nga mjekët specialistë.
Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë paraqitur 11 të lënduar: 8 efektivë policie, një protestues, një punonjës sigurie dhe një deputet. Të gjithë kanë lënë spitalin me këshillën e mjekut.
Njoftimi i Ministrisë së Shëndetësisë:
“Përditësim informacioni mbi të lënduarit gjatë protestës së datës 28 nëntor 2026.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, sipas informacioneve paraprake nga strukturat spitalore, informon se gjatë protestës së djeshme:
Në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur për të marrë trajtim mjekësor 50 pacientë, nga të cilët:
- 17 efektivë policie, njëri prej të cilëve është i shtruar në spital dhe po merr trajtimin e nevojshëm.
- 21 protestues, 2 prej të cilëve janë të shtruar në spital dhe po marrin trajtimin e nevojshëm.
- Njëri prej të shtruarve është paraqitur me kontuzion të bulbit okular (jo me trup të huaj në sy). Po ndiqet në vijimësi nga mjekët e specializuar.
- 6 gazetarë, 1 prej të cilëve është i shtruar në spital nën kujdesin e mjekëve.
- 6 kalimtarë, njëri prej të cilëve ndodhet i shtruar në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Të lënduarit e tjerë kanë lënë spitalin me këshillën e mjekut.
Në Qendrën Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ janë paraqitur 11 të lënduar:
- 8 efektivë policie
- Një protestues
- Një punonjës sigurie
- Një deputet
Të gjithë të lënduarit kanë lënë spitalin me këshillën e mjekut”, shkruan Ministria.


