Bilanci i protestës së 28 Nëntorit, 61 të lënduar: 22 protestues dhe 6 gazetarë mes tyre
🇬🇧 Read in EnglishProtesta e 28 Nëntorit në Tiranë ka lënë pas 61 persona të lënduar, sipas bilancit të përditësuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale. Mes tyre janë protestues, efektivë policie, gazetarë, kalimtarë, një punonjës sigurie dhe një deputet.
Në Spitalin Universitar të Traumës kanë marrë ndihmë mjekësore 50 persona. Bëhet fjalë për 21 protestues, 17 efektivë policie, 6 gazetarë dhe 6 kalimtarë.
Shqetësim paraqet gjendja e një prej protestuesve, i cili ka pësuar kontuzion të globit të syrit dhe po ndiqet nga mjekët specialistë. Sipas njoftimit zyrtar, ai nuk ka pasur trup të huaj në sy.
Në këtë spital vijojnë të jenë të shtruar pesë persona: dy protestues, njëri prej të cilëve me dëmtim në sy, një efektiv policie, një gazetar dhe një kalimtar. Të tjerët kanë lënë spitalin pas marrjes së ndihmës mjekësore.
Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë paraqitur edhe 11 persona të tjerë: tetë efektivë policie, një protestues, një punonjës sigurie dhe një deputet. Të gjithë kanë lënë spitalin me këshillën e mjekëve.
Sipas bilancit të përgjithshëm të Ministrisë, nga përplasjet e 28 Nëntorit janë lënduar 25 efektivë policie, 22 protestues, 6 gazetarë, 6 kalimtarë, një punonjës sigurie dhe një deputet.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



