Protesta e 28 nëntorit, Avokati i Popullit kërkon ruajtjen e pamjeve filmike: 4 protestues pretendojnë se u goditën me plumba gome

29 Nëntor 2026 | 12:35

Avokati i Popullit i ka kërkuar Policisë së Tiranës të ruajë menjëherë të gjitha pamjet filmike dhe komunikimet në radio gjatë operacionit policor të zhvilluar në protestën e 28 nëntorit. Kërkesa synon garantimin e provave për hetimin e pretendimeve për përdorim të tepruar të forcës ndaj protestuesve.

Pas monitorimit në terren, institucioni bën me dije se katër protestues të kontaktuar në Spitalin Universitar të Traumës kanë deklaruar se janë goditur me plumba gome dhe mjete të tjera gjatë protestës.

Sipas raportit të Avokatit të Popullit, njëri prej protestuesve ka deklaruar se është goditur në sy, ndërsa grupi i monitorimit ka konstatuar se syrin e majtë e kishte të mavijosur dhe të mbyllur. Një tjetër ka pretenduar se është goditur edhe me shkop gome, ndërsa një protestues i tretë ka deklaruar se është qëlluar në ballë, nga afër, me fishek gazi. Ky i fundit kishte shenja dëmtimi në këmbë dhe një plagë në kokë, e cila ishte qepur.

Në shkresën drejtuar Policisë së Tiranës, Avokati i Popullit kërkon të dhëna të detajuara mbi planin operacional dhe zinxhirin e komandimit, për të përcaktuar se kush ka urdhëruar përdorimin e forcës gjatë protestës.

Gjithashtu, kërkohen sqarime mbi përdorimin e plumbave të gomës, fishekëve të gazit, gazit lotsjellës të hedhur nga dronët dhe ujëhedhësve, përfshirë kohën, vendin, urdhrat përkatës dhe paralajmërimet e dhëna para përdorimit të tyre.

Një tjetër çështje për të cilën kërkohen shpjegime lidhet me trajtimin dhe mbrojtjen e gazetarëve gjatë protestës, përfshirë pretendimet për përdorimin e ujit me presion në zonën ku ndodheshin mediat, si dhe mënyrën e dhënies së ndihmës së parë dhe aksesin e ambulancave.

Institucioni kërkon gjithashtu informacion mbi mënyrën e identifikimit të efektivëve të Policisë në terren.

Më 28 nëntor, grupet e monitorimit të Avokatit të Popullit kanë qenë të pranishme në komisariatet nr. 1, 2, 3, 4 dhe 6, në Bllokun e Sigurisë dhe në Spitalin e Traumës. Institucioni thekson se po ndjek me të njëjtën vëmendje rastet e lëndimit të protestuesve, gazetarëve dhe punonjësve të Policisë.

Avokati i Popullit rikujton se përdorimi i forcës nga organet ligjzbatuese lejohet vetëm kur është i nevojshëm dhe në përmasa proporcionale.

Ngjarjet e 28 nëntorit janë pjesë e një hetimi më të gjerë që institucioni po zhvillon prej disa muajsh mbi mënyrën e menaxhimit të protestave nga Policia e Shtetit. Raporti përfundimtar pritet t’i depozitohet Kuvendit në dhjetor 2026.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Protesta e 28 nëntorit, 61 të lënduar morën ndihmë mjekësore në spitale, 5 vijojnë të jenë të shtruar

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka bërë publike një përditësim mbi gjendjen shëndetësore të personave të lënduar gjatë protestës së zhvilluar më 28 nëntor...
11:33 | 29/11/2026

Rikthehet dëbora në Librazhd, zbardhet Shebeniku, vështirësi në disa akse rrugore

Reshjet e dëborës dhe temperaturat e ulëta kanë përfshirë zonat malore të Librazhdit, duke sjellë pamjen e parë dimërore në këtë pjesë të vendit. Dëbora...
11:16 | 29/11/2026

I riu u paraqit te Trauma me dëmtim në sy, vijojnë ekzaminimet për të përcaktuar shkallën e dëmtimit

I riu që u paraqit ditën e djeshme në Spitalin e Traumës me dëmtim në sy vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve, ndërsa po...
10:50 | 29/11/2026