Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, sot uroi shqiptarët për Ditën e Çlirimit, duke përkujtuar të rënët për lirinë e atdheut. Në mesazhin e përcjellë për këtë ditë të shënuar, ndër të tjera, kreu i shtetit theksoi detyrimin e çdo brezi për nderimin e dëshmorëve dhe ruajtjen e amanetit të tyre, lirinë.
Sot, ne nderojmë kujtimin e trimave që dhanë jetën për lirinë e Shqipërisë; bij dhe bija të këtij vendi, që në një nga periudhat më të vështira të historisë sonë, zgjodhën të vendosnin lirinë e atdheut mbi jetën e tyre.
Sakrifica e tyre përbën një nga amanetet më të shenjta të historisë. Ata janë pjesë e ndërgjegjes sonë kombëtare.
Ne kemi detyrimin të nderojmë përjetësisht kujtimin e tyre, të mbajmë gjallë veprën e tyre, lirinë, dhe t’ua përcjellim këtë amanet brezave që vijnë. Gëzuar Ditën e Çlirimit, Shqipëri!