Drejtoresha e Teatrit Kombëtar të Kukullave, Melsi Qirici, ka reaguar pas dëmtimeve të godinës historike gjatë protestës së djeshme, duke publikuar edhe pamje të xhamave të thyer.
Qirici thekson se godina, e cila ka shërbyer si Parlamenti i parë Shqiptar dhe është Monument Kulture i Kategorisë së Parë, nuk ishte dëmtuar as gjatë trazirave të vitit 1997.
Ajo tregon se gjatë protestës, bashkë me stafin, ka qëndruar brenda teatrit, ndërsa tymi, gazi dhe shishet me benzinë të hedhura në drejtim të godinës kanë vështirësuar qëndrimin e tyre. Drejtoresha u ka bërë thirrje protestuesve të mos e prekin teatrin, duke theksuar se stafi do të punojë për riparimin e dëmeve dhe rikthimin e shfaqjeve në normalitet.
Reagimi i plotë i Melsi Qiricit:
“Teatri kombëtar i Kukullave, ish-Parlamenti i parë Shqiptar është godinë historike, Monument Kulture i Kategorisë së Parë që ruhet nga shteti shqiptar. Sipas dokumentave zyrtare rezulton të jetë ndërtuar në vitin 1924. Në vitet ’60 e në vijim ka filluar funksionin si teatër kukullash për fëmijë.
Godina ka pësuar ndërtime e rindërtime, pas goditjeve të tërmetit dhe ezaurimeve të kohës, lagështirës e fatkeqësive natyrore. Po asnjëherë më parë teatri nuk është dëmtuar nga dora e njeriut. Protagonistë të kohës, aktorë e punonjës të teatrit kombëtar të kukullave vlerësuar me Urdhrin ‘Naim Frashëri i Artë’ rrëfejnë se as në trazirat e ’97-ës teatri nuk është prekur një fije. Aktorët e kanë gdhirë duke mos lejuar askënd të hyjë.
Pas restaurimit final dhe rijetëzimit në dhjetor 2024, me fonde të BE-së, në kuadër të programit EU4Culture dhe me zbatues UNOPS, teatri u rikthehet fëmijëve me kushte moderne dhe kapacitet të ri krijues e prodhues.
Jemi kujdesur si staf që të mos ngulet asnjë gozhdë dhe mos dëmtohet asnjë centimetër mur, pavarësisht se shfaqjet e sotme kanë kërkesa teknologjie e logjistika të reja. Ne e ruajmë teatrin si shtëpinë tonë.
Dje, historia u përsërit! Bashkë me stafin kemi qenë brenda në teatër të ngujuar nga tymi, gazi dhe shishet plastike me benzinë që hidheshin drejt teatrit. Disa prej nesh u asfiksuan, por nuk luajtëm nga teatri, derisa mbaroi çmenduria e radhës.
Sot e çdo ditë, do jemi sërish aty, për të riparuar çdo dëm dhe për të rikthyer shfaqjet dhe jetën e vogëlushëve tanë në normalitet.
U bëjmë thirrje gjithë protestuesve: Ju lutem mos e prekni teatrin! Na takon neve si qytetarë shqiptarë ta mbrojmë dhe ta duam: shkatërrimi sjell shkatërrim!
Zemërimi me objektet nuk sjell ndryshim, prodhon vetëm urrejtje.
‘Mos e prekni teatrin, është parlamenti i parë shqiptar’, ishte thirrja e një djali veshur me flamur, i vetmi mes protestuesve që dje foli në emrin tonë. Faleminderit, kushdo të jesh! U dëgjoftë zëri yt dhe le të shpresojmë që kjo të jetë e fundit”, shkruan Qirici.


