BOTA

“Më ka ardhur në majë të hundës”, Meloni e revoltuar me Zelenskyn pas sulmit ndaj anijes ruse në Mesdhe

13:15 - 29.11.26 GSH Gazetar
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka shprehur pakënaqësinë e saj të fortë ndaj presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, pas një sulmi ndaj një korvete ruse në Mesdhe, pranë brigjeve të Libisë, për të cilin Roma nuk ishte vënë në dijeni paraprakisht.

Sipas gazetës italiane “Corriere della Sera”, Kievi nuk e kishte informuar dhe as koordinuar operacionin me autoritetet italiane, duke shkaktuar irritim në nivelet më të larta të qeverisë në Romë.

Ministri italian i Mbrojtjes deklaroi se pas incidentit kishte kontaktuar përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, NATO-s dhe Bashkimit Evropian, por asnjë prej tyre nuk kishte dijeni për operacionin.

Burime të cituara nga gazeta bëjnë me dije se Meloni ishte tepër e revoltuar, ndërsa priste të zhvillonte një bisedë telefonike me presidentin ukrainas. “Jam shtyrë deri në limit”, mësohet të ketë deklaruar ajo.

Pakënaqësia e kryeministres italiane nuk lidhej vetëm me mungesën e koordinimit mes Kievit dhe partnerëve të tij, por edhe me pasojat që sulmi ndaj anijeve ruse në brigjet lindore të Libisë mund të kishte mbi interesat italiane.

Gjatë telefonatës me Zelenskyn, Meloni i ka shprehur drejtpërdrejt zemërimin e saj me fjalët: “Më ka ardhur në majë të hundës”.

Sipas “Corriere della Sera”, gjatë bisedës telefonike presidenti ukrainas i ka kërkuar falje homologes italiane për situatën e krijuar.

Incidenti duket se ka nxjerrë në pah tensionet që mund të lindin mes Ukrainës dhe partnerëve të saj evropianë, veçanërisht kur operacionet ushtarake prekin interesa strategjike të vendeve të tjera.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.