Rashford drejt qëndrimit te Man Utd, Pochettino është admirues i madh i yllit anglez

Marcus Rashford është gjithnjë e më pranë qëndrimit te Manchester United gjatë afatit kalimtar të janarit, pasi trajneri i ri Mauricio Pochettino dëshiron t’i japë një mundësi sulmuesit anglez.
Pavarësisht raportimeve të mëparshme se klubi anglez mund të shqyrtonte ndonjë ofertë të përshtatshme për 29-vjeçarin, gjasat janë që Rashford të mos largohet nga “Old Trafford” gjatë afatit kalimtar dimëror.

Sipas gazetarit të njohur Fabrizio Romano, Pochettino është një admirues i vjetër i reprezentuesit anglez dhe dëshiron ta shohë atë në dispozicion të skuadrës, pasi të rikuperohet plotësisht nga lëndimi.
Romano ka zbuluar se interesimi i trajnerit argjentinas për Rashfordin daton që nga koha kur ai drejtonte Paris Saint-Germainin. Në atë periudhë, Pochettino kishte bërë përpjekje të mëdha për ta transferuar sulmuesin anglez në kryeqytetin francez.
“Mos harroni atë që ju thashë kur u emërua Pochettino. Ai ka qenë gjithmonë një admirues i madh i Rashfordit. Kur Pochettino ishte te Paris Saint-Germaini dhe Rashford po shfaqej si një nga talentet e rinj te Manchester United, ai këmbëngulte jashtëzakonisht shumë për ta transferuar Marcusin në Paris”, deklaroi Romano në kanalin e tij në YouTube.

Gazetari italian shtoi se nuk do të habitej nëse Pochettino vendos të investojë shumë besim te sulmuesi anglez dhe t’i japë një rol të rëndësishëm në skuadër.
“Për momentin nuk pres ndonjë lëvizje në janar. Sa i përket verës, gjithçka do të varet nga ajo që do të ndodhë nga tani deri në verën e vitit 2027. Megjithatë, Rashford mbetet një emër që duhet marrë në konsideratë”, përfundoi Romano.
Kështu, e ardhmja e Rashfordit te Manchester United duket se do të varet në masë të madhe nga mundësitë që do t’i ofrojë Pochettino dhe nga paraqitjet e tij pas rikthimit nga lëndimi. /Telegrafi/









































