Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës ka reaguar një ditë pas sulmit ndaj godinës së saj gjatë protestës së 28 nëntorit, duke e cilësuar ngjarjen një goditje ndaj përfaqësimit të bizneseve në kryeqytet.

Sipas Dhomës së Tregtisë, nga informacionet paraprake rezulton se sulmi është kryer nga tre persona, të cilët kanë hyrë në mënyrë të paligjshme në ambientet e institucionit. Sulmi me lëndë djegëse shkaktoi zjarr dhe dëme materiale në godinë.

“Sulmi ndaj Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë nuk është thjesht një akt dhune ndaj ambienteve të saj, por një goditje ndaj zërit dhe përfaqësimit të bizneseve në Tiranë, të cilat i kanë besuar këtij institucioni mbrojtjen e interesave të tyre”, thuhet në deklaratën për mediat.

Dhoma e Tregtisë falënderon kalimtarët e rastit dhe bizneset pranë godinës, të cilët ndërhynë të parët për shuarjen e flakëve, si dhe Policinë e Shtetit dhe shërbimin zjarrfikës.

“Dënojmë me forcë këtë akt të rëndë dhune dhe u bëjmë thirrje autoriteteve përgjegjëse ta ndjekin hetimin me imtësi dhe përgjegjshmëri maksimale. Njëkohësisht, bëjmë thirrje për distancim të qartë nga akte të tilla, që rrezikojnë sigurinë dhe dëmtojnë pronën. Do të bashkëpunojmë plotësisht me organet kompetente dhe do të vijojmë pa ndërprerje misionin tonë në përfaqësim të bizneseve në Tiranë”, përfundon deklarata.