
Një banderolë me mbishkrimin “Rama tradhtar! Lordi i kokainës në Ballkan” është shpalosur në shkallët e Kryeministrisë, gjatë protestës kombëtare që po zhvillohet këtë të diel në Tiranë.
Pas shpalosjes së banderolës, turma ka shpërthyer në brohoritje: “Rama jep dorëheqjen”. Më pas, në drejtim të godinës së Kryeministrisë janë hedhur kapsolla, fishekzjarrë dhe molotovë.
Protestuesit janë vendosur para Kryeministrisë, ku efektivët e policisë janë rreshtuar në formë gardhi përpara godinës, pasi disa të rinj arritën të ngjiteshin në shkallët e saj.
Ndërkohë, nga turma janë dëgjuar thirrje kundër policisë. Thirrja “Hiqe kapelen!”, e përdorur prej muajsh gjatë protestave si ftesë drejtuar efektivëve për t’iu bashkuar protestuesve, është zëvendësuar këtë herë me “Hiqe flamurin!”.
Përmes kësaj thirrjeje, protestuesit kundërshtojnë praninë e simbolit kombëtar në mburojat dhe uniformat e efektivëve, duke iu referuar ngjarjeve të regjistruara gjatë protestës së një dite më parë.
“Policia, këtu na ke ti, mbron krimin dhe jo ne!”, ishin disa nga thirrjet e qytetarëve. Nuk kanë munguar as thirrjet kundër qeverisë dhe politikës: “Dorëheqje!”, “Poshtë diktatura!” dhe “Ju erdhi fundi!”.