Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka shprehur pakënaqësinë e saj ndaj presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, pasi Kievi dyshohet se nuk e informoi dhe nuk koordinoi me Romën sulmin ndaj korvetës ruse “Merkuriy”, pranë brigjeve të Libisë në Mesdhe.
Sipas gazetës italiane “Corriere della Sera”, operacioni ukrainas shkaktoi shqetësim në qeverinë italiane, e cila nuk kishte dijeni paraprake për sulmin. Ministri i Mbrojtjes i Italisë, pas ngjarjes, kontaktoi përfaqësuesit francezë dhe gjermanë, si dhe strukturat e NATO-s dhe Bashkimit Europian, por sipas raportimeve, asnjë prej tyre nuk kishte informacion mbi operacionin.
Burimet e cituara nga gazeta bëjnë të ditur se Meloni ishte e irrituar ndërsa priste të zhvillonte një bisedë telefonike me presidentin ukrainas. Sipas tyre, ajo kishte deklaruar: “Jam shtyrë deri në limit”.
Por pakënaqësia e kryeministres italiane nuk lidhej vetëm me mungesën e koordinimit me partnerët europianë. Sipas “Corriere della Sera”, Meloni ishte e shqetësuar edhe për ndikimin që sulmi ndaj anijeve ruse në pjesën lindore të Libisë mund të kishte mbi interesat e Italisë në rajon.
Gjatë bisedës telefonike me Zelenskyn, kryeministrja italiane raportohet se i ka shprehur drejtpërdrejt pakënaqësinë e saj me fjalët: “Më ka ardhur në majë të hundës”.
Nga ana e tij, sipas gazetës italiane, presidenti ukrainas i ka kërkuar falje homologes italiane gjatë telefonatës.
Ngjarja ka nxjerrë në pah shqetësimet e Romës për mungesën e koordinimit me Kievin lidhur me operacionet ushtarake ukrainase në Mesdhe, një rajon ku Italia ka interesa të rëndësishme strategjike dhe ekonomike.
