Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka reaguar pas rastit të dyshuar të përdorimit joproporcional të forcës nga një punonjës i Policisë së Shtetit gjatë protestës para Kryeministrisë.
Përmes një deklarate, Demo bëri të ditur se i ka kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit pezullimin e menjëhershëm të efektivit dhe nisjen e procedurave për hetimin e plotë të ngjarjes.
“Askush nuk është mbi ligjin, aq më tepër një punonjës i Policisë së Shtetit, që ka për detyrë ta zbatojë dhe ta mbrojë atë”, thekson ministri.
Demo u shpreh se dhuna nuk do të tolerohet, as nga protestuesit që sulmojnë forcat e rendit dhe institucionet, as nga punonjësit e policisë që tejkalojnë kompetencat e tyre.
Ai nënvizoi se e drejta për të protestuar është e garantuar, ndërsa detyrimi për të respektuar ligjin është i njëjtë për të gjithë, pa përjashtim.
