Deputetja demokrate Jorida Tabaku ka reaguar pas plagosjes së kolegut të saj, Kliti Hoti, me plumb gome gjatë protestës së 29 nëntorit, duke akuzuar policinë për përdorim të tepruar të forcës dhe qeverinë për presion ndaj protestuesve.
Në një reagim në Facebook, Tabaku e cilësoi incidentin si një tjetër dëshmi të mënyrës se si, sipas saj, funksionon sistemi i qeverisjes së Edi Ramës, duke pretenduar se institucionet shpërfillin ligjin dhe Kushtetutën për të mbrojtur pushtetin.
Ajo e akuzoi policinë për sjellje të dhunshme, duke u ndalur veçanërisht te fakti se deputeti Hoti është goditur nga pas, ndërsa kritikoi edhe ministrin e Brendshëm, Ervin Demo, për reagimin e tij.
Në fund të mesazhit, Tabaku deklaroi se përdorimi i armëve dhe forcës nuk do ta shpëtojë qeverinë nga kundërshtimi qytetar.
Reagimi i plotë:
“Goditja e kolegut Kliti Hoti me plumb gome është sinjali i radhës se sistemi i pakicës nuk pyet për asgjë. Sistemi i Edi Ramës nuk njeh as ligj, as Kushtetutë dhe shpërfill çdo gjë kur bëhet fjalë për të ruajtur pushtetin e tij personal.
Goditja e kolegut Hoti është dëshmia e një policie të korruptuar deri në pikën më ekstreme, sa nuk di të bëjë dallimin as kur një qytetar i kthen shpinën. Kur e godet pas shpine, policia dëshmon burracakërinë e saj.
Ministri Demo, fytyra e shëmtuar e PS-së për Tiranën, fshihet dhe hesht, sepse ai raporton te Skënder Hitaj. Kjo është hierarkia kokëposhtë e këtij sistemi që ka humbur çdo sens moral, logjik e kushtetues! Ky sistem po mbahet pas plumbave që lëshohen ndaj kujtdo. Plumbat nuk do ta shpëtojnë këtë regjim e këtë sistem!
Sistemi i ka plumbat dhe armët, por Shqipëria është e gjitha në këmbë kundër tij. E bashkuar. E vendosur.”













