Organizimi i patrullimeve të përbashkëta në kufirin e gjelbër, forcimi i shkëmbimit të informacionit dhe zgjerimi i bashkëpunimit në fushën e sistemeve informatike dhe logjistikës ishin në fokus të takimit mes drejtuesve të administratave doganore të Shqipërisë dhe Kosovës.
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Fation Shehu, zhvilloi këtë të diel, më 29 nëntor, takimin e tij të parë zyrtar me homologun nga Kosova, Agron Llugaliu.
Sipas njoftimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, takimi shërbeu për të diskutuar mbi ecurinë e bashkëpunimit dhe identifikimin e hapave konkretë për zgjerimin e tij, në funksion të një administrimi doganor më efikas dhe lehtësimit të shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve.
“Gjatë takimit, vëmendje e veçantë iu kushtua intensifikimit të bashkëpunimit operacional, përmes organizimit të patrullimeve të përbashkëta në kufirin e gjelbër, si një instrument për rritjen e koordinimit dhe efektivitetit të kontrolleve”, thuhet në njoftim.
Një tjetër çështje e diskutuar ishte forcimi i shkëmbimit të informacionit dhe komunikimit online ndërmjet strukturave përgjegjëse për monitorimin dhe menaxhimin e riskut, me synim evidentimin në kohë të problematikave dhe reagimin e koordinuar ndaj tyre.
“Po ashtu, të dy drejtuesit vlerësuan rëndësinë e zgjerimit të bashkëpunimit në fushën e sistemeve informatike dhe logjistikës, duke synuar ndërveprim më të mirë mes administratave, modernizimin e proceseve dhe rritjen e kapaciteteve institucionale”, vijon njoftimi.
Në përfundim të takimit, palët riafirmuan vullnetin për të vijuar dialogun dhe bashkëpunimin e ngushtë, duke synuar kthimin e çështjeve të diskutuara në iniciativa konkrete në interes të të dy administratave doganore dhe operatorëve ekonomikë.










