Frosinone fitoi 3-0 ndaj Parmës në sfidën e javës së 13-të në Serie A. Protagonisti kryesor i këtij takimi ishte sllovaku Tomas Bobcek, i cili në ndeshjen e tij të parë sit titullar në Serie A, shënoi tre gola në më pak se 30 minuta lojë, në pjesën e dytë.
Frosinone e transferoi sulmuesin 25-vjeçar në muajin gusht nga skuadra polake Lechia Gdansk, pas një sezoni të shkëlqyer në të cilin ai shënoi 20 gola në 30 ndeshje të Ekstraklasa-s, duke u shpallur golashënuesi më i mirë i kampionatit. Këto shifra e justifikuan plotësisht shumën prej 8 milionë eurosh, duke e bërë atë blerjen më të shtrenjtë në historinë e Frosinones. Megjithatë, fillimi i tij ishte i ngadaltë.
Bobcek erdhi pasi kishte kryer një operacion në gju dhe kishte nevojë për kohë që të rikthehej në formën e tij më të mirë fizike. Kjo është arsyeja pse luajti si titullar vetëm në sfidën e javës së 13-të, ku shënoi edhe tregolëshin.
Pasi e theu akullin duke shënuar këtë tregolësh të parë, sfida e tanishme për Bobcek është të sigurojë një vend si titullar i rregullt te Frosinone dhe të krijojë një emër në Serie A. E gjithë kjo, duke pasur parasysh të kaluarën e tij të veçantë. Tomas Bobcek është marrë për një kohë me hokej mbi akull së bashku me vëllain e tij, Marek, por në fund, të dy u tërhoqën më shumë nga topi sesa nga disku i hokejit.
Një gjë mund të thuhet me siguri, sytë e tifozëve të Frosinone por edhe te skuadrat e tjera do të jenë padyshim mbi të në javët në vijim.







