
Situata është tensionuar sërish në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, ku protestuesit kanë tentuar të afrohen pranë godinës së Kryeministrisë, duke u përballur me ndërhyrjen e forcave të rendit.
Policia ka përdorur autobotë uji dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën, ndërsa efektivë të shumtë janë pozicionuar përgjatë perimetrit të institucionit, duke bllokuar aksesin e protestuesve drejt godinës së qeverisë.
Përplasjet kanë nisur pasi qytetarët, të cilët fillimisht ishin grumbulluar në Sheshin Skënderbej, marshuan përgjatë bulevardit drejt Kryeministrisë.
Gjatë tubimit janë hedhur edhe mjete piroteknike në drejtim të forcave të policisë, çka është pasuar nga ndërhyrja e efektivëve me gaz lotsjellës dhe ujë me presion.
Ndërkohë, forcat e rendit vijojnë të mbajnë të rrethuar zonën përreth Kryeministrisë, ndërsa protesta është shoqëruar me momente tensioni dhe përplasje mes qytetarëve dhe policisë.